Mickoski nga Davosi: Mbi 100 milionë euro investime për operatorin e tretë mobil në Maqedoni
Kryeministri Hristjan Mickoski ka bërë të ditur nga Davosi se kompania “4iG”, e cila ka fituar licencën për operatorin e tretë mobil në Maqedoni, do të investojë mbi 100 milionë euro në zhvillimin e këtij projekti.
Siç ka shkruar Mickoski, dita e dytë e qëndrimit të tij në Davos ka nisur me takime produktive, ndër të cilat edhe një takim me pronarin e kompanisë “4iG”. Gjatë takimit, është biseduar për planet investuese të kompanisë, pasi janë përmbushur obligimet financiare për marrjen e licencës.
“Kjo investim do të sjellë një kompani të re në tregun e shërbimeve mobile dhe jam i bindur se do të ndikojë pozitivisht në uljen e çmimeve të shërbimeve për qytetarët”, ka theksuar Mickoski.
Më tej, kryeministri ka marrë pjesë në një panel me liderë botërorë dhe përfaqësues të kompanive multinacionale, ku është diskutuar për sfidat globale në vitet e ardhshme, me theks të veçantë te inteligjenca artificiale.
Sipas Mickoskit, për zhvillimin serioz të inteligjencës artificiale nevojiten kushte themelore si stabiliteti energjetik dhe investimi në burime njerëzore, veçanërisht në inxhinierë të teknologjisë informative, duke pasur parasysh nevojat e mëdha energjetike të qendrave të të dhënave.
Ai ka theksuar se Maqedonia nuk do të mbetet jashtë këtyre proceseve globale dhe se shteti synon të jetë pjesëmarrës aktiv në zhvillimet që do të përcaktojnë dekadat e ardhshme.
Qëndrimi i delegacionit maqedonas në Davos vazhdon edhe në ditët në vijim, me një sërë takimesh bilaterale të planifikuara.

