Mickoski: Nuk do të ketë pension më të vogël se 15.000 denarë! Pensionistët në mars do të marrin pensione 1.000 denarë më të larta
Pensionistët në mars do të marrin një rritje prej 1.000 denarë në pensione. Mbetet harmonizimi linear, është i prerë kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, me këtë u zvogëlua hendeku dhe u rrit shpërndarja e drejtë e të ardhurave, ndërsa u ul edhe niveli i varfërisë, sepse statistikat treguan se pensionistët janë grupi më i varfër i qytetarëve. Deri në prill 2026, së bashku me rritjet e mëparshme, rritja totale lineare e pensioneve do të jetë 7.000 denarë dhe nuk do të ketë pension më pak se 15.000 denarë – thotë kryeministri.
“150.000 pensionistë, para se të fillonte kjo rritje lineare, kishin pensione që ishin rreth 10 deri 12 mijë denarë. 150.000 pensionistë nga 330.000. Kjo do të thotë se ata tani, me këto 7.000 denarë rritje lineare, nuk kanë pension që është nën 15.000 denarë, domethënë ata lëvizin nga 17 deri në 19.000 denarë. Dhe si qeveri do të vazhdojmë në këtë drejtim”, tha Mickoksi.
I pyetur nëse Gjykata Kushtetuese mund të ndalonte rritjen lineare të pensioneve, Mickoski tha se nuk do të komentonte vendimet e Kushtetueses.
Ligji për rritje të re lineare të pensioneve u miratua në Kuvend më 24 korrik me 79 vota „për“, pas së cilës ai u kontestua para Gjykatës Kushtetuese. Para Vitit të Ri, Kushtetuesja nuk mori vendim për heqjen e rritjes lineare të pensioneve, sepse propozimi nuk kishte shumicë votash. Çështja me të cilën sfidohet rritja e fundit lineare e pensioneve do të shqyrtohet përsëri pas plotësimit të përbërjes gjyqësore.
“Gjykata ka nisur procedurën, ka shprehur dyshime mbi kushtetutshmërinë e dispozitave të Ligjit për Pensione dhe Invaliditet, megjithatë në seancën e sotme votat u ndanë 4-4, që do të thotë se nuk ka vendim. Ai vendim do të presë ardhjen e gjyqtarëve të rinj”, deklaroi Darko Kostadinovski.
Me këtë pensionistët morën nga 1.000 denarë në shtator 2025, dhe duhet të marrin edhe një mijë denarë në mars të këtij viti. Më parë, pensionistët morën dy rritje lineare nga 2.500 denarë secila.

