MPB nis hetim për fotografitë e ritit fetar mbi automjetet policore
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale po ndërmerr masa dhe aktivitete përkatëse për përcaktimin e plotë të rrethanave që lidhen me fotografitë në të cilat shihet një rit fetar mbi automjete zyrtare policore, brenda rrethit të Ministrisë.
“Lidhur me fotografitë e publikuara për të cilat pyesni, Ministria e Punëve të Brendshme ju informon se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së po ndërmerr masa dhe aktivitete përkatëse për përcaktimin e plotë të rrethanave, pas së cilës publiku do të informohet në mënyrë të duhur”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Fotografitë, të cilat ditët e fundit u përhapën në rrjetet sociale, shkaktuan reagime të ashpra në opinionin publik. Në to shihet një prift duke kryer një rit fetar dhe duke bekuar automjete zyrtare në oborrin e MPB-së, ndërsa janë të pranishëm edhe punonjës policorë.
Një pjesë e qytetarëve e arsyetojnë këtë veprim, duke theksuar se në traditën ortodokse ekziston lutja për bekimin e automjeteve dhe se bëhet fjalë për një gjest simbolik me qëllim mbrojtjeje dhe sigurie. Në të kundërt, një pjesë tjetër e opinionit reagon ashpër, duke vlerësuar se një praktikë e tillë është në kundërshtim me parimin kushtetues të sekularitetit dhe se institucionet shtetërore duhet të jenë fetarisht neutrale.
Debati rihapi sërish çështjen e kufirit ndërmjet zakoneve fetare dhe funksionimit të institucioneve shtetërore sekulare, si dhe nevojën për rregulla të qarta dhe përgjegjësi në hapësirën publike. Reagime të ngjashme në opinion pati edhe një vit më parë, kur u krye një rit fetar në Kuvend.
Nga MPB-ja paralajmërojnë se pas përfundimit të procedurës për përcaktimin e fakteve, publiku do të informohet shtesë.
REAGIM nga zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni:
Si zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e konsideroj të domosdoshme të sqaroj se spërkatja me ujë të shenjtë nga një zyrtar fetar mbi automjetet zyrtare të policisë dhe mbi objektet zyrtare, brenda parkingut të MPB-së, nuk përbën akt besimi privat, por shkelje të drejtpërdrejtë të parimit të shtetit laik dhe të ligjit.
Ky veprim është kryer nga disa punonjës të një njësie të policisë rrugore, në bashkëpunim me klerikun fetar, dhe në asnjë mënyrë nuk përfaqëson qëndrimin apo veprimtarinë institucionale të MPB-së. Njëkohësisht, ky rast dëshmon për mungesë të vetëdijes profesionale te disa pjesëtarë të policisë.
Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut (neni 19) përcakton qartë ndarjen e fesë nga shteti.
Ligji për Policinë kërkon neutralitet të plotë dhe të pakushtëzuar.
MPB është institucion shtetëror që duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim feje. Hapësirat dhe mjetet zyrtare nuk janë pronë e asnjë besimi fetar dhe nuk guxojnë të përdoren për rituale apo veprime fetare. Policia është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe nuk mund të veprojë me standarde të dyfishta.
Institucioni i MPB-së ka rregullore të qarta dhe, në përputhje me to, do të thirren në përgjegjësi të gjithë ata që:
– kanë organizuar ose kanë lejuar këtë veprim,
– nuk e kanë parandaluar atë,
– kanë lejuar hyrjen e klerikut fetar në objektet e MPB-së për kryerjen e veprimeve fetare.
Vetëm përmes zbatimit konsekuent të ligjit dhe barazisë para tij mund të rikthehet besimi i qytetarëve dhe i të punësuarve në këtë institucion.
Respekti për fenë është i domosdoshëm, por përzierja e fesë me institucionet e sigurisë është e papranueshme dhe e rrezikshme për barazinë, neutralitetin institucional dhe besimin qytetar.
Shteti është laik.
Policia është e qytetarëve.
Ligji është mbi çdo simbol fetar.

