Nesër bllokadë e të gjitha kalimeve kufitare! Kamionistët në protestë – do të lejohen makinat dhe autobusët
Nga nesër në mesditë dhe për shtatë ditët e ardhshme do të ketë bllokim të plotë të pikave kufitare për hyrje dhe dalje të kamionëve të mallrave. Transportuesit nga i gjithë Ballkani do t’i parkojnë kamionët në kufij, të pakënaqur nga sistemi i ri për hyrje dhe dalje nga Bashkimi Evropian, me të cilin për shkak të numërimit u shkurtuan ditët e qëndrimit të shoferëve. Protesta është e përbashkët për transportuesit e kamionëve nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. Të gjitha pikat kufitare tek ne do të jenë të mbyllura për transportin e ngarkuar, ndërsa nuk do të ketë problem për hyrje dhe dalje të autobusëve dhe makinave personale.
“Ne nga ana jonë si transportues vendosëm të mbyllim këto pika kufitare: ato janë Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë, Bllatë në Dibër dhe Bllacë. Ndërkohë, Tabanovca mbetet e hapur nga ana jonë, megjithatë do ta bllokojnë kolegët tanë nga Serbia”, tha Biljana Muratovska – Asociacioni Transportues Makam-Trans.
Muratoska paralajmëroi se sistemi i ri, sidomos nga 10 prilli, kur do të fillojë numërimi elektronik, do ta shtrenjtojë transportin e mallrave dhe do të dëmtojë jo vetëm ekonominë tonë, por të gjithë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Por, problemet tashmë kanë filluar: 100 transportues boshnjakë janë ndjekur nga policia, janë çuar në paraburgim dhe janë deportuar sepse kanë tejkaluar kufirin prej 90 ditësh. Muratoska thotë se raste të tilla ka pasur edhe me transportuesit tanë. Këta persona nuk janë terroristë, nuk janë emigrantë, dhe me ta veprohet sikur të jenë kriminelë më të mëdhenj, reagoi ajo. Se pasojat do të jenë serioze për biznesin paralajmëroi edhe Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski.
“Nuk zgjidh asgjë për përmirësimin e një fushe të caktuar në Bashkimin Evropian, por krijon probleme serioze për ne. Presim që të hënën reagimet të përhapen në të gjitha vendet e prekura nga kjo. Nuk pres një zgjidhje të shpejtë, por pres tërheqjen e vendimit”, deklaroi Branko Azeski – kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë.
Se është i mundshëm kolapsi i ekonomisë së Maqedonisë e tha edhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski. Sipas tij, bëhet fjalë për një problem shumë serioz, për të cilin është diskutuar me Bashkimin Evropian, por nga ana e tyre nuk ka pasur mirëkuptim.
Transportuesit e kamionëve janë të revoltuar sepse për të gjitha veprimtaritë e tjera transportuese ka zgjidhje, vetëm për ta jo. Thonë se zgjidhja është e thjeshtë – të vlejnë edhe për ta përjashtimet që vlejnë për personelin e kabinave në transportin ajror, detar dhe hekurudhor.

