Nesër nis zbatimi i sistemit ‘Qyteti i Sigurt’! MPB apelon qytetarët të zbatojnë rregullat në trafik
Nga dita e nesërme zyrtarisht nis zbatimi i sistemit „Qyteti i Sigurt“ edhe atë në Shkup, Kumanovë, Tetovë, si dhe në Korridoret 8 dhe 10. Me fillimin në funksion të këtij sistemi do të sanksionohen qytetarët që do të kryejnë shkelje të zbuluara nga kamerat e „Qytetit të Sigurt“.
“Në fazën e parë, sistemi do të detektojë katër shkelje tipike të trafikut: parkim i parregullt; drejtim me shpejtësi më të madhe se ajo e lejuar; kalim në semafor të kuq; drejtim i mjetit me afat të skaduar të lejes së qarkullimit. Sistemi „Qyteti i Sigurt“ është një investim jashtëzakonisht i rëndësishëm në sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të gjithë vendit, do të shpëtojë jetë njerëzish, do të rregullojë trafikun, dhe do të sanksionojë të gjithë ata që nuk duan të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut, duke dëmtuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafikun. Kamerat janë vendosur në pikat kritike të trafikut ku shpesh ndodhin shkelje të trafikut”, tha Goce Andrevski – zëdhënës i MPB-së.
MPB apelon qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut.
“MPB-ja u bën apel qytetarëve të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë për rrugë më të mira, më të sigurta dhe më të siguruara në gjithë vendin”, theksoi Goce Andrevski – zëdhënës i MPB-së.
Sistemi „Qyteti i Sigurt“ do të hyjë në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje. Në fazën e parë do të funksionojë vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10. Gjatë vitit 2026 parashihet që sistemi të fillojë të funksionojë në gjithë territorin e shtetit. Megjithatë nuk ka ende datë konkrete se kur do të fillojë në qytetet tjera. Sipas kompetentëve, përmes këtij investimi do të shpëtohen jetët e njerëzve dhe do të rregullohet komunikacioni, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit. Opozita ka kritika se Ligji për Kundërvajtje nuk premton garanci për implementimin e përdorimit të gjuhës shqipe; sipas tyre, VMRO-DPMNE nuk ka dhënë premtim publik për respektimin e të drejtave gjuhësore. Kujtojmë se gjobat do të dërgohen nëpërmjet postës elektronike dhe postare, prandaj MPB apelon që qytetarët të kontrollojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në pikat për kontroll teknik ose në sportelin e veçantë në objektin e RTVM-së.

