MaqedoniTop Lajme

Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, përderisa unë jam kryetar i Qeverisë (VIDEO)

Shpërndaje

Në seancën e sotme të Kuvendit për pyetje deputetësh, kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje deputetore të deputetit Skender Rexhepi lidhur me ndryshimet kushtetuese, theksoi se përderisa ai është kryetar i Qeverisë, ato nuk do të ndodhin nëse maqedonasit në Bullgari nuk i marrin të drejtat e garantuara sipas së drejtës ndërkombëtare dhe konventave ndërkombëtare, si dhe përderisa nuk merren garanci se në të ardhmen shteti nuk do të përballet me obstruksione dhe bllokada për arsye subjektive.

“Nuk e di sa herë duhet ta them dhe sa herë duhet ta përsëris cili është qëndrimi i Qeverisë, por ja, nëse insistoni dhe e shtroni këtë pyetje, do të përpiqem këtë herë t’ju përgjigjem në një mënyrë tjetër krahasuar me të gjitha përgjigjet që kanë ndodhur në të kaluarën. Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë përderisa unë jam kryetar i Qeverisë, nëse nuk plotësohen minimum dy kushte. Kushti i parë është që komuniteti maqedonas në Bullgari t’i marrë të drejtat e garantuara sipas së drejtës ndërkombëtare dhe konventave dhe rezolutave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Nuk kërkoj që për këtë të ndryshohet Kushtetuta. Dhe e dyta, përderisa të mos marrim garanci për identitetin tonë maqedonas, për të cilin pres mbështetje nga ju si bashkëqytetarë të mi, për gjuhën time maqedonase, që më nuk do të ketë veto bilaterale dhe që askush më nuk do ta pengojë këtë shtet, i cili shumë herë ka treguar dhe dëshmuar se dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane, ka bërë sakrifica si asnjë shtet tjetër dhe ky popull, këta qytetarë, kanë bërë sakrifica si asnjë qytetar tjetër në Evropë, që të mos ketë më poshtërime të reja, nënçmime të reja dhe obstruksione të reja nga askush për arsye subjektive”, theksoi Mickoski dhe shtoi:

“Nëse ne nuk jemi të mirë në klasterin e sundimit të ligjit, nëse nuk kemi përmbushur diçka etj., kjo është arsye tjetër. Nëse nuk kemi kthyer ndonjë të arratisur nga drejtësia ose ndonjë figurë të mbrojtur politikisht që më parë ka bërë krim dhe nuk e kemi futur në burg, dhe për këtë marrim kritikë apo bllokadë – në rregull, për këtë nuk ka asnjë problem. Ose nëse nuk jemi cilësorë në diçka tjetër. Por që të mos ketë më çështje bilaterale që do ta kufizojnë përparimin tonë drejt Evropës.”

Ai edhe një herë përsëriti se përderisa është kryeministër, ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin pa u përmbushur këto dy kushte dhe u bëri thirrje edhe deputetëve që në të ardhmen do të vijnë, të mos pajtohen me qëndrimin e deputetit që parashtroi pyetjen për ndryshime kushtetuese pa garanci.

“Përderisa jam unë kryeministër. Kur të mos jem më kryeministër, ndoshta ju ende do të jeni deputet, do të ketë dikush tjetër, do ta pyesni dhe do t’ju japë përgjigje. Për ndryshime kushtetuese duhet të pajtohen 80, përkatësisht 79 kolegë tuaj. Unë i këshilloj fuqishëm 119 deputetët e tjerë në këtë sallë që të mos e mbështesin qëndrimin tuaj për ndryshime kushtetuese pa i marrë minimum këto dy garanci”, theksoi Mickoski.

Ai gjithashtu theksoi se maqedonasve në Bullgari u janë hequr të gjitha të drejtat, ndërsa tani kërkojnë vetëm një shoqatë që do të luftonte për të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari.

“Do ta përsëris: përderisa komuniteti maqedonas në Bullgari – dhe mendoj se duhet ta mbështesni këtë qëndrim – duhet ta mbështesni qëndrimin për maqedonasit nga Razllogu, nga Gorna Xhumaja, nga Sandanski, nga Pirini, sepse në regjistrimin e vitit 1956 ata ishin 200 mijë dhe ishin shumicë në rajonin e Pirinit të Maqedonisë. Ishin dy të tretat e popullsisë së përgjithshme, ndërsa në mënyrë magjike në regjistrimin e vitit 1965 numri bëhet 9 mijë. Nga dyqind mijë në 9 mijë, dhe këtë një ish-president bullgar e përmend si inxhinieri për të cilën është veçanërisht krenar. U janë hequr të drejtat për autonomi kulturore, për të komunikuar në gjuhën e tyre amtare maqedonase, për të folur në gjuhën e tyre amtare maqedonase, për të vallëzuar me këngët e tyre maqedonase, për të respektuar zakonet e tyre maqedonase. Dhe ata tani kërkojnë vetëm të kenë mundësinë që OMO Ilinden Pirin të jetë një organizatë që do t’i përfaqësojë të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari. A është kjo shumë?”, pyeti Mickoski.