MaqedoniTop Lajme

Partitë ende nuk janë marrë vesh për zgjedhjen e Avokatit të Popullit

Shpërndaje

Ende nuk është arritur marrëveshje për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pasi procedura është bllokuar tanimë disa muaj pasi shumica parlamentare nuk ka votat e shumicës së badinterit për të zgjedhur Faton Selamin. Kjo temë, ishte një ndër më të diskutuarat në takimin e liderëve, për çka kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi zgjidhje kreative për një periudhë të shkurtër.

Siç mëson Alsat, kushti i BDI-së që të zhbllokohet procesi është që koalicioni VLEN ta tërheqë emrin e Faton Selamit, ndërsa të zgjedhin njërin prej kandidatëve të paraqitur në konkurs, duke respektuar parimin e meritokracisë.

Megjithatë, koordinatori i grupit parlamentar të VLEN Bekim Qoku thekson për Alsat se ende nuk është arritur një marrëveshje e tillë.

Burime nga BDI theksojnë për Alsat se nëse VLEN pa marrëveshje e vendos në rend dite emrin e Faton Selamit, ata nuk do ta votojnë.

Diskutimet pritet që të vazhdojnë javën e ardhshme, ndërsa pritjet janë që të ketë zgjidhje deri në fund të javës ose më së voni deri në fund të muajit janar.

Në konkursin për Avokat të Popullit krahas Selamit janë paraqitur edhe ish Avokati i Shtetit, aktualisht në paraburgim për ryshfet Fehmi Stafa, i propozuari për anëtar të Këshillit Gjyqësor Alban Kadriu, shefi i Kabinetit të kryeparlamentarit Driton Nebiu, zëvendës Avokati i Popullit Ylber Rufati, por edhe ish anëtari i Komisionit për Antikorrupsion Shemshi Sallai. Pos tyre kanë konkurruar edhe Muhamed Hodai, Svetisllav Jovanovski, Doan Sulejmanovski, Nikollçe Petkovski, Fatmir Emrullau dhe Ilir Ramadani.

Mungesa e zgjedhjes së Avokatit të Popullit për më shumë se gjashtë muaj ka bërë që institucioni të punojë me kapacitete të kufizuara. Ndërkohë pronarët e objektit ku ndodhet zyra e Avokatit të Popullit në Shkup, i kanë trokitur në derë institucionit meqë disa muaj nuk është paguar qiraja. Punëtorët janë të revoltuar plotësisht se nuk respektohet marrëveshja kolektive e cila parashikon paga më të larta për 30 për qind. Megjithatë, këto para do të jetë rëndë t’i gjejë Avokati i Popullit në rrethana kur buxheti për këtë vit është shkurtuar për 45 milionë denarë. Problem shtesë paraqet edhe mungesa e kuadrit. Sipas sistematizimit të vitit 2021, institucioni duhet të ketë 180 punonjës. Aktualisht ka 84, ndërsa 4 prej tyre në fund të muajit dalin në pension. Ndër vite problem paraqet edhe mosvotimi i zëvendësve të Avokatit të Popullit që sipas ligjit duhet të jenë 10, por aktualisht janë vetëm dy, njëri prej të cilëve ushtron të autorizuarin e Avokatit të Popullit.