RajoniTop Lajme

Përmbytje në Durrës, Lezhë dhe Kukës – Pezullohet mësimi, nis evakuimi i familjeve

Shpërndaje

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që nga mbrëmja e së dielës kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme të shumta në disa qytete.

Durrësi mbetet qyteti më i prekur nga moti i keq. Në disa zona të qytetit bregdetar, niveli i ujit ka arritur deri në 50 centimetra. Situata më problematike raportohet në Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri), ku shumë rrugë janë bërë pothuajse të pakalueshme dhe disa lagje kanë mbetur të izoluara.

Për shkak të situatës së rënduar dhe bllokimit të rrugëve, mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit. Zyra Vendore e Arsimit ka njoftuar prindërit dhe mësuesit që të shmangin lëvizjet deri në përmirësimin e kushteve.

Aktualisht, tetë familje po evakuohen për shkak të përmbytjes së banesave, tre prej tyre nga Shijaku. Familjet do të sistemohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, ku deri tani janë strehuar tri familje.

Situatë e vështirë paraqitet edhe në autostradën Durrës–Tiranë, ku prania e madhe e ujit në disa segmente ka shkaktuar fikjen e automjeteve dhe probleme serioze në qarkullim.

Edhe në Tiranë, reshjet e dendura kanë mbushur rrugët me ujë, duke shkaktuar trafik të rënduar në disa akse kryesore.

Qarku i Lezhës vijon të jetë i përfshirë nga reshje intensive. Sipas Stacionit Meteorologjik Ushtarak të Gjadrit, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 96 mm shi, çka ka ndikuar në rritjen e niveleve të lumenjve Drin dhe Mat, si dhe në përmbytjen e tokave bujqësore dhe oborreve në disa zona.

Në Kukës, vërshimet kanë përmbytur disa segmente rrugore. Probleme janë evidentuar në akset Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë dhe Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku raportohet prani uji dhe dëmtime të pjesshme të infrastrukturës. Po ashtu, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e qarkut janë dëmtuar, duke izoluar përkohësisht disa zona.

Ndërkohë, reshje shiu me intensitet të lartë të shoqëruara me stuhi ere kanë nisur edhe në Fier gjatë paradites së sotme, por deri më tani nuk raportohet për përmbytje apo dëme materiale.

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës. Aktualisht po shkarkohen rreth 700 metra kub ujë në sekondë, përveç prodhimit, ndërsa procesi po monitorohet vazhdimisht nga specialistët./TopChannel