RajoniTop Lajme

Policia e Kosovës realizon vizitën e parë në kufirin SHBA–Meksikë në Portin e Hyrjes Laredo

Shpërndaje

Më 23 janar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë nga PK, realizoi vizitën e parë zyrtare të Policisë së Kosovës në kufirin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës. Delegacioni vëzhgoi nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale në Portin e Hyrjes Laredo, në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të SHBA-së dhe zyrtarët kufitarë. Vizita u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë përmes DOJ-ICITAP.

Kjo vizitë historike shënoi herën e parë që zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë vëzhguar drejtpërdrejt procedurat operative në disa pika të kalimit kufitar SHBA–Meksikë. Delegacioni shprehu vlerësim të lartë për mundësinë për t’u njohur nga afër me praktikat e sofistikuara të CBP-së dhe Patrullës Kufitare të menaxhimit kufitar, përdorimin e teknologjive moderne dhe qasjet e koordinuara të zbatimit të ligjit të përdorura në një nga pikat më të ngarkuara të hyrjes në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës ndoqën operacionet në kohë reale, përfshirë procedurat e inspektimit, metodat e kontrollit të bazuara në vlerësimin e rrezikut, si dhe integrimin e teknologjisë për forcimin e sigurisë kufitare, njëkohësisht duke lehtësuar tregtinë dhe lirinë udhëtimin e ligjshëm. Këto përvoja u vlerësuan lartë si në aspektin e njohurive praktike dhe janë mësime të vlefshme që mund të përshtaten për forcimin e operacioneve të sigurisë kufitare në Kosovë.

Policia e Kosovës vlerëson shumë lartë vizitën, njohuritë dhe përvojat e fituara do të kontribuojnë në planifikimin e ardhshëm dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve, përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për avancimin e standardeve të sigurisë kufitare dhe rritjen e efektivitetit operacional.

Kjo vizitë nënvizon partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe pasqyron përkushtimin e përbashkët ndaj sigurisë kufitare, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.