Presidentja Osmani viziton dy familje të mbijetuara të Masakrës së Reçakut
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dje ka vizituar Reçakun, ku u ndal pranë familjeve Kamberi dhe Ismajli, dy vatra ku dhimbja e Masakrës së 15 janarit 1999 mbetet ende e gjallë.
Rrëfimet e Hazbi Kamberit, i plagosur në moshën 15-vjeçare, dhe të Muhamet Ismajlit, që humbi gjashtë kushërinj, si dhe fati ende i pazbardhur i Sahides, dëshmojnë për tragjedinë që Serbia përpiqej ta fshihte, por që e vërteta e Reçakut e bëri të pamundur.
Njoftimi nga Presidentja Osmani:
Dje në Reçak, vizituam dy familje, te të cilat historia është plagë e hapur. Familja Kamberi dhe ajo Ismajli, janë të goditura rëndë nga humbja e familjarëve në Masakrën e Reçakut. Në këto vatra, dhimbja nuk është shuar, por është shndërruar në qëndresë.
Hazbi Kamberi, i plagosur 15-vjeçar, dhe babai i tij, i masakruar mizorisht sepse nuk e braktisi shtëpinë, shpërfaqin të vërtetën që nuk mund të fshihet asnjëherë. Ndërkaq Muhamet Ismajli, pësoi me 6 kushërinjtë e tij në Masakër, teksa fati i Sahides nga kjo familje ende mbetet i pazbardhur, ndonëse varri i saj është i hapur.
Reçaku jeton në secilën nga këto familje, në secilën derë që krimi nuk arriti ta mbyllë, në secilën zemër që refuzon harresën, në fëmijët e të rinjët që tregimin për Reçakun do ta përcjellin brez pas brezi.
Kosova qëndron mbi këtë sakrificë.
E vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli ynë.

