MaqedoniTop Lajme

Skandal në Vrapçisht: Isen Shabani ka paguar rreth 100 mijë euro për pastrim bore që nuk është kryer

Shpërndaje

Kandidati për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, ka ngritur akuza të rënda për keqpërdorime financiare gjatë qeverisjes së ish-kryetarit të komunës, duke theksuar pagesa marramendëse për pastrimin e borës në rrugët lokale, në një kohë kur realisht shërbimi nuk është kryer.

Njfoftimi nga Demiri:
Të dashur banorë të Komunës së Vrapçishtit,
siç ju kemi premtuar, sot vazhdojmë të zbulojmë para jush keqpërdorimet dhe abuzimet e dyshuara gjatë qeverisjes së ish-kryetarit të komunës.
Sot po flasim për një skandal që e kanë parë me sytë e tyre të gjithë qytetarët: shuma marramendëse të paguara për pastrimin e borës në rrugët lokale, në një kohë kur realiteti ka qenë krejtësisht ndryshe. Vitet e fundit jo vetëm që nuk kemi pasur borë të mjaftueshme, por edhe në ato pak raste kur ka rënë borë, rrugët tona kurrë nuk janë pastruar në kohë. Qytetarët kanë mbetur të izoluar, ndërsa në dokumente figurojnë pagesa sikur shërbimi të ishte kryer rregullisht.
Gjatë mandatit të fundit, çdo vit janë paguar rreth 25 mijë euro, apo mbi 1.400.000 denarë. Në total, bëhet fjalë për afro 100 mijë euro, ose rreth 6 milionë denarë të taksave të qytetarëve, për një shërbim që në praktikë nuk ka ekzistuar.
Kjo nuk është thjesht papërgjegjësi kjo është fyerje për çdo qytetar që paguan taksa dhe pret shërbime bazë. Dhe kjo nuk është e vetmja çështje: ka edhe shpenzime në markete e restorante të ndryshme, për të cilat askush nuk ka dhënë sqarim se ku kanë përfunduar paratë.
Ne sot nuk po bëjmë thjesht deklarata politike. Ne kërkojmë transparencë të plotë, auditim dhe hetim institucional. Qytetarët e Vrapçishtit meritojnë të dinë se ku kanë shkuar paratë e tyre dhe kush mban përgjegjësi për këtë keqmenaxhim.