Taravari: (V)LEN u demaskua, ndryshime kushtetuese nuk do të ketë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke deklaruar se koalicioni (V)LEN është “demaskuar përfundimisht”, ndërsa rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian po bllokohet gjithnjë e më shumë.
Taravari thekson se mungesa e ndryshimeve kushtetuese u konfirmua publikisht nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski, çka, sipas tij, rrëzon çdo premtim të shitur si “rrugë e sigurt drejt BE-së”.
“Rrugët drejt Brukselit, në vend që të hapen, po betonohen çdo ditë e më shumë. Integrimi evropian po shndërrohet në një epope pa fund, ndërsa realiteti politik e mban vendin të bllokuar në vendnumëro”, shkruan Taravari.
Sipas kreut të ASH-së, pasojat e kësaj situate po i paguajnë qytetarët, të cilët po përballen me izolim, varfërim dhe humbje shprese. Ai thekson se shqiptarët, në veçanti, po mbajnë barrën e asaj që e cilëson si “impotencë politike” të (V)LEN-it, i cili, sipas tij, premtoi ndryshim, por solli vetëm heshtje dhe nënshtrim.
“Koha e alibive ka mbaruar. Koha për veprim është tani”, përfundon Taravari në reagimin e tij.

