Tensione në protestën e opozitës në Shqipëri, hidhen molotovë drejt Kryeministrisë
Dhjetëra kokteje molotov u hodhën në drejtim të Kryeministrisë, duke shpërthyer në flakë, gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita në Shqipëri.
Tensionet nisën menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili ndodhej në podium gjatë kohës që hidheshin koktejet me molotovë, të cilat rrezikuan forcat e rendit që ishin mbledhur kordon, në ruajtje të institucionit.
Gjithashtu protestuesit hodhën në drejtim të godinës së Kryeministrisë edhe një mori me fishekzjarrë.
Në përgjigje të lëndëve piroteknike të hedhura nga protestuesit, policia reagoi duke hedhur gaz lotësjellës si dhe ujë me presion përmes një autoboti, për të shpërndarë protestuesit.
Pas këtyre momenteve të tensionuara, protestuesit janë tërhequr nga Kryeministria duke u zhvendosur në drejtim të Kuvendit.
Kjo është protesta e dytë kombëtare e PD-së në të cilën opozita kërkon largimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

