Toshkovski – Koçiu: Forcim i bashkëpunimit dypalësh, sistem One Stop edhe me Shqipërinë dhe Qendër e re për Bashkëpunim Policor dhe Doganor
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme realizoi një takim dypalësh me ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në vend.
Në takim u shqyrtuan disa çështje të rëndësishme me interes të përbashkët, me theks të ngritjes së bashkëpunimit të përgjithshëm ndërmjet dy ministrive, planit për zbatimin e sistemit One Stop me Republikën e Shqipërisë deri në fillim të sezonit turistik, mundësisë së lëshimit të pikës kufitare “Xhepishtë – Trebishtë” të punojë vazhdimisht 24 orë brenda vitit, si dhe aktiviteteve që lidhen me draft-marrëveshjet ndërmjet dy qeverive për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta në pikat e përbashkëta kufitare dhe për themelimin dhe funksionimin e një Qendre për Bashkëpunim Policor dhe Doganor.
“Konsideroj se para fillimit të sezonit të verës, do të kishm mundur, siç e implementuam sistemin One Stop me Kosovën dhe me Serbinë, ta implementojmë edhe me Shqipërinë dhe t’i mbyllim shtetet të cilat nuk janë pjesë e BE-së me një transferim më të shpejtë të qytetarëve, gjë që do të zvogëlojë kohën e pritjes në kufijtë tanë.
Gjithashtu e shqyrtuam mundësinë që pika kufitare Xhepishtë-Trebishtë në të ardhmen, atë regjim funksionimi që e ka tani, e kjo është në periudhën e verës deri në orën 8, në periudhën e dimrit deri në orën 18, ta vazhdojmë në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet e dy ministrive, të funksionojë 24/7 gjatë gjithë vitit, duke u mundësuar qytetarëve nga njëra dhe nga ana tjetër të kenë një komunikim më të mirë, të realizojnë një numër më të madh shërbimesh nga njëra dhe nga ana tjetër dhe, me të vërtetë, bashkëpunimin tonë të shkëlqyer ta ngremënë në një nivel edhe më të lartë edhe më të mirë”, theksoi ministri Toshkovski.
Në kuadër të vizitës u mbajt edhe një takim i nivelit të lartë ndërmjet ministrave të Punëve të Brendshme dhe drejtorëve të shërbimeve doganore të të dy vendeve, kushtuar formimit të një Qendre të Përbashkët Kontakti për Bashkëpunim Policor dhe Doganor. Kjo qendër do të paraqesë një mekanizëm shtesë për shkëmbim më të shpejtë dhe më efikas të informacionit, koordinim dhe veprim të përbashkët në përballjen me krimin ndërkufitar, migrimin e paligjshëm, trafikimin e drogës dhe sfida të tjera të sigurisë.
“Lidhja e Marrëveshjes për Themelimin dhe Funksionimin e Qendrës së Bashkëpunimit Policor dhe Doganor do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe kontrollit kufitar, si dhe për një luftë më efikase kundër migrimit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe kërcënimeve të tjera ndaj sigurisë. Maqedonia ka formuar katër qendra të përbashkëta kontakti – në Deve Bair me Republikën e Bullgarisë, në Qafë Thanë me Republikën e Shqipërisë, në Bllacë me Republikën e Kosovës dhe në Tabanoc me Republikën e Serbisë. Këto qendra çdo ditë e kryejnë funksionin e tyre themelor për shkëmbimin e informacionit, dërgimin e mesazheve për paralajmërimin e hershëm dhe koordinimin në luftën kundër krimit ndërkufitar. Qendra e re e Bashkëpunimit Policor dhe Doganor do të jetë edhe një mekanizëm tjetër i fuqishëm në këtë rrjet”, theksoi ministri Toshkovski.
Ai shtoi se nismat e këtilla janë një konfirmim i drejtpërdrejtë i besimit të ndërsjellë dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë për të thelluar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të çuar përpara perspektivën evropiane të rajonit.

