Bota

Trump: Evropa të merret me Ukrainën, jo me Groenlandën

Shpërndaje

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Evropa duhet të fokusohet në luftën në Ukrainë dhe jo në çështjen e Groenlandës, duke paralajmëruar vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Në një intervistë të shkurtër telefonike për një rrjet informativ amerikan, Trump tha se do t’i godasë vendet evropiane me tarifa “100 për qind”, në rast se nuk ka dakordim lidhur me Groenlandën.

“Evropa duhet të përqendrohet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo është ajo që u ka sjellë pasoja reale,” u shpreh Trump, duke shtuar se Groenlanda nuk duhet të jetë prioritet.

I pyetur nëse do të përdorte forcën për të marrë nën kontroll Groenlandën, Trump u përgjigj shkurt: “Pa koment”.

Presidenti amerikan komentoi edhe çështjen e Çmimit Nobel për Paqe, duke kundërshtuar pretendimet se Norvegjia nuk ka ndikim në procesin e vendimmarrjes.

Ai përmendi një letër të mëhershme drejtuar kryeministrit norvegjez, ku shprehej se nuk ndihej më i detyruar të “mendonte vetëm për paqen”, pasi nuk ishte nderuar me Çmimin Nobel.

“Norvegjia e kontrollon plotësisht këtë çmim, pavarësisht asaj që thonë,” deklaroi Trump.