BotaTop Lajme

Trumpi thotë se i ka dhënë Iranit një afat për të pranuar marrëveshje para sulmit të mundshëm

Shpërndaje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se i ka dhënë Iranit një afat për të bërë një marrëveshje para një sulmi të mundshëm ushtarak ndaj këtij vendi.

Kur u pyet nga reporterët në Zyrën Ovale nëse i ka vendosur një afat Iranit para një sulmi të mundshëm, presidenti amerikan konfirmoi se ia ka komunikuar këtë gjë drejtpërdrejt Teheranit, duke shtuar: “Vetëm ata e dinë, me siguri.”

Ai nuk e zbuloi afatin që e ka Irani për të bërë marrëveshje, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Kur u pyet nëse ekziston ndonjë afat se kur forcat amerikane në rajon mund të tërhiqen, Trumpi nuk dha ndonjë premtim: “Ato duhet të lundrojnë diku. Mund të lundrojnë edhe afër Iranit.”

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e përsëriti “vlerësimin” e gjoja vendimit të regjimit iranian për ta anuluar ekzekutimin e më shumë se 800 protestuesve antiqeveritarë – diçka që Teherani nuk ka konfirmuar se planifikonte ta bënte.

Trumpi ka kërcënuar se do ta sulmojë regjimin, nëse vret protestues. Raportohet se mijëra njerëz janë vrarë në Iran gjatë protestave gjithëkombëtare që nisën në dhjetor e vazhduan edhe në janar.

“Kemi një flotë të madhe të armadës që është drejtuar drejt Iranit mu tani. Shpresoj se do të bëjmë një marrëveshje. Nëse bëjmë një pakt, kjo është mirë. Nëse nuk bëjmë një marrëveshje, do të shohim se çfarë do të ndodhë” – tha më tej presidenti amerikan.