RajoniTop Lajme

VV-ja thyen rekordin edhe me përqindje të votave

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje ka thyer rekordin e përqindjes së votave që kishte marrë më 14 shkurt të vitit 2021.

Kjo ende pa u numëruar te gjitha votat me postë, votat me kusht dhe ato të personave me nevoje të veçanta.

Në vitin 2021, VV-ja kishte 50.28 për qind nga të gjitha votat e numëruara, ndërkaq sot derisa janë numëruar në total 94.83 për qind të votave, Vetëvendosja ka arritur 50.31 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ka thyer rekordin e votave që kishte marrë në vitin 2021. Aktualisht ka 456 mijë e 340 vota nga rezultatet e deritashme, të procesuara prej vendvotimeve brenda Kosovës dhe jo plotësisht ato nga diaspora dhe me postë.

Rekordi paraprak mbahej pikërisht nga kjo parti. Në vitin 2021, partia e Albin Kurtit kishte marrë 438 mijë e 335 vota apo 50.28 për qind të votave.

Në shkurt të 2025-s ajo mbeti parti e parë, por mori 396 mijë e 787 vota apo 42.3 për qind.

Edhe Albin Kurti, kandidat i VV-së për kryeministër, me më shumë se 375 mijë vota e 620 është bërë personi më i votuar në histori të Kosovës. Në zgjedhjet e kaluara kishte 337 mijë e 791 vota.

Partia e dytë në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka dalë Partia Demokratike me rreth 187 mijë vota, ndërsa Lidhja Demokratike e treta me më shumë se 121 mijë vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë mbi 50 mijë vota.