Zelensky: Absolutisht e pamundur për mua të takohem me Putinin në Moskë, nëse guxon, le të vijë në Kiev
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se është absolutisht e papranueshme që ai të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, por se ai e fton publikisht Putinin, nëse guxon, të vijë në Kiev për bisedime.
“Është absolutisht e pamundur për mua të takohem me Putinin në Moskë. Do të ishte njësoj si ta takoja në Kiev. Mund ta ftoj edhe në Kiev – le të vijë. Këtu, e ftoj publikisht, nëse guxon, të vijë në Kiev”, tha Volodymyr Zelensky dhe theksoi se Ukraina dëshiron një marrëveshje konstruktive për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky tha se dëshiron një takim produktiv, ku çështjet e hapura mund të diskutohen dhe zgjidhen, raporton Ukrainska Pravda.
“Por nëse dikush nuk dëshiron të takohet, për ndonjë arsye, nuk mund ta thotë drejtpërdrejt, atëherë shfaqen ftesa të tilla nga Moska. Është e qartë se çfarë po ndodh”, tha ai.
Zelensky tha se është gjithmonë i gatshëm për çdo format bisedimesh që do t’i jepnin fund luftës, por është e pamundur që kjo të ndodhë në Moskë apo Bjellorusi.
“Është absolutisht e qartë pse – njëri nga vendet është agresori që filloi luftën kundër nesh, po na vret dhe vendi tjetër është partner në ato veprime”, theksoi Zelenski.Pak më parë, Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha tha se Zelensky është gati për një takim ballë për ballë me Putinin, me qëllim zgjidhjen e dy çështjeve kyçe të kornizës për paqe – territoret dhe menaxhimin e termocentralit bërthamor Zaporozhye, për të cilat ndihmësi i presidentit rus, Yuriy Ushakov, iu përgjigj duke thënë se Zelensky mund të udhëtojë për në Moskë.
Duke folur për anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës në Bashkimin Evropian, Zelensky tha se është një skenar realist dhe vlerësoi se BE-ja është një garanci sigurie për të ardhmen e vendit.
Është një zgjedhje ekzistenciale, por jo vetëm për arsye gjeopolitike dhe ekonomike, por edhe për vlera, tha udhëheqësi ukrainas.“Ajo që na intereson është një rrugë e përshpejtuar. Krahasuar me vendet e tjera, fqinjët dhe miqtë tanë nga Ballkani, ata që janë kandidatë dhe që me të drejtë duhet të jenë pjesë e BE-së, ata nuk janë në luftë dhe nuk kanë një ushtri armike në kufijtë e tyre, ose në kufijtë evropianë, gjë që do të bllokonte anëtarësimin e tyre në të ardhmen”, tha Zelenski.
Sipas tij, Rusia do të bllokonte anëtarësimin e Ukrainës në BE në kohë paqeje, sepse ata e kanë bërë tashmë këtë.
“Është në interesin e tyre që Ukraina të mos jetë as në BE dhe as në NATO. Kjo do të ishte një luftë hibride kundër pranimit të Ukrainës në BE”, tha Zelensky.

