Zuli Demiri uron Isen Shabani për fitoren: Respektoj vendimin e popullit, por përkushtimi im vazhdon
Kandidati i pavarur në Komunën e Vrapçishtit, Zuli Demiri, ka falënderuar qytetarët dhe aktivistët pas përfundimit të numërimit të votave dhe zgjedhjeve lokale.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Vrapçishtit, tash – kur janë publikuar rezultatet e zgjedhjeve të sotme për komunën tonë – dëshiroj t’ju drejtohem me 3135 falënderime për secilin që sot ka votuar për ofertën tonë dhe për emrin tim.
E falënderoj edhe secilin aktivist dhe secilin që ka dhënë çfarëdo kontributi duke na mbështetur në këtë fushatë.
Unë i detyrohem secilit nga ju dhe e falënderoj nga zemra.
Populli ka drejtë edhe nëse merr vendim të gabuar. Duke e njohur rezultatin, ia uroj kundërkandidatit fitoren dhe e respektoj këtë vendim të sovranit.
Sot përfunduan zgjedhjet në Komunën e Vrapçishtit, por këtu nuk ka përfunduar dashuria ime për bashkëqytetarët e mi dhe asnjëherë nuk do të përfundojë përgjegjësia dhe angazhimi im për ju. Ky detyrim dhe përkushtim kurrë nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë.
Ju faleminderit nga zemra dhe mirupafshim në garat e ardhshme!

