MaqedoniTop Lajme

ASH-Taravari: Universitetet publike në rrezik nga centralizimi i vendimmarrjes

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët, shpreh shqetësim serioz lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë.

Këto ndryshime përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë universitare, e cila është kategori kushtetuese dhe pjesë e pandashme e rendit juridik dhe demokratik të shtetit. Vendosja e strukturave të reja drejtuese me ndikim politik, mbi organet akademike ekzistuese, cenon parimin e vetëqeverisjes universitare dhe e zhvendos vendimmarrjen nga komuniteti akademik drejt pushtetit ekzekutiv.

Aleanca vlerëson se krijimi i mekanizmave të centralizuar për përcaktimin e financimit universitar, përfshirë përcaktimin e shumës totale të mjeteve për universitetet, përbën shkelje të parimeve të menaxhimit financiar publik dhe anashkalon procedurat e përcaktuara me Ligjin për Buxhetin. Financimi, në këtë formë, rrezikon të shndërrohet në instrument kontrolli politik dhe jo në mjet për zhvillim akademik dhe kërkim shkencor.

Po ashtu, ndryshimet e propozuara në procedurat e rekrutimit dhe avancimit akademik nuk garantojnë rritje të cilësisë, por krijojnë kritere përjashtuese dhe selektive që dëmtojnë veçanërisht stafin e ri akademik. Kufizimi i burimeve të vlerësimit shkencor dhe mbyllja e rrugëve alternative të avancimit profesional rrezikojnë stagnimin e sistemit dhe largimin e kuadrove të reja nga universitetet publike.

Vlerësohet gjithashtu se parashikimet për mbylljen e programeve studimore, bashkimin apo fuzionimin e universiteteve pa pëlqimin e organeve të tyre të brendshme, bien ndesh me parimet kushtetuese dhe me standardet evropiane të qeverisjes universitare. Rritja e kompetencave të centralizuara të ministrisë dhe organeve të varura prej saj e dobëson më tej autonominë reale të universiteteve.

Aleanca për Shqiptarët thekson se reformat në arsimin e lartë duhet të ndërtohen mbi dialog të gjerë me komunitetin akademik, transparencë institucionale dhe respektim të plotë të autonomisë universitare. Çdo reformë që përjashton universitetet nga vendimmarrja për zhvillimin e tyre nuk është reformë, por centralizim i pushtetit në dëm të interesit publik.

Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje institucioneve kompetente që të tërheqin ndryshimet e propozuara dhe të hapin një proces të ri konsultimi me staf akademik dhe përfaqësues të universiteteve, me qëllim ndërtimin e një ligji që garanton autonomi reale, cilësi akademike dhe perspektivë për brezat e ardhshëm.

Arsimi i lartë është interes strategjik kombëtar dhe nuk mund të trajtohet si instrument administrativ apo politik.

Aleanca për Shqiptarët