BDI -Çair themelon SPAK, mekanizem për Antikorupcion. Fton qytetarët t’i denoncojne keqpërdorimet e pushtetit
Sot duam të njoftojmë një hap konkret dhe të domosdoshëm për Çairin:
formimin e Sekretariatit për Parandalim dhe Anti-Korrupsion – SPAK, pranë BDI-Çair.
Ky Sekretariat është krijuar si përgjigje ndaj nevojës urgjente për kontroll, transparencë dhe përgjegjësi publike në funksionimin e institucioneve lokale në Çair.
SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Fusha e veprimit të SPAK do të jetë e qartë:
Do të monitorohen ndërtimet pa leje, tolerimi institucional dhe përgjegjësia e strukturave komunale për shkeljet urbanistike.
Do të analizohen prokurimet publike, kontratat, procedurat dhe vendimmarrjet që prekin buxhetin komunal.
Do të shqyrtohen punësimet, kontratat dhe praktikat administrative, për të garantuar ligjshmëri dhe barazi.
SPAK do të funksionojë me monitorim të vazhdueshëm, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Një komponent thelbësor do të jetë mekanizmi për denoncim anonim. Qytetarët do të kenë mundësi të raportojnë çdo dyshim për korrupsion përmes një platforme online dhe linje të hapur, me garanci të plotë për mbrojtjen e identitetit.
Çdo rast i analizuar dhe i dokumentuar do të bëhet publik, ndërsa rastet me bazë ligjore do të procedohen edhe në institucionet përkatëse.
Qëllimi ynë është i qartë:
të vendosim Çairin nën presion publik, nën kontroll qytetar dhe nën transparencë të përhershme.
Ky Sekretariat nuk është për spektakël.
Nuk është për deklarata.
Është për veprim.
SPAK do të jetë mekanizëm i përhershëm, profesional dhe i hapur për qytetarët.

