BDI: Kallëzim penal ndaj Ministrit të Drejtësisë për pengimin e zbatimit të gjuhës shqipe
Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave, aktivistë dhe profesionistë të drejtësisë,
Sot, para këtij institucioni të drejtësisë, paraqesim kallëzim penal ndaj Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut për shkelje serioze të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.
Së pari, për pengim të zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës së Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nenet 1, 2, 3 dhe 9 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të cilat e njohin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes dhe detyrojnë institucionet shtetërore të sigurojnë përdorimin e gjuhës zyrtare të palëve në procedurat dhe dokumentet zyrtare.
Së dyti, për mos-zbatim të detyrave zyrtare në dëm të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve shqiptarë, në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës (barazia e qytetarëve para ligjit) dhe nenin 353 të Kodit Penal (keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimit zyrtar). Refuzimi për të organizuar dhe mbajtur Provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe cenon drejtpërdrejt të drejtën e përdorimit të gjuhës zyrtare në procedurat para institucioneve.
Së treti, këto veprime përbëjnë cenim të barazisë së qytetarëve sipas nenit 137 të Kodit Penal dhe janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, i cili ndalon çdo formë diskriminimi mbi bazë gjuhe dhe përkatësie etnike. Mos-zbatimi i ligjit dhe mohimi i kësaj të drejte dërgon mesazhe diskriminuese dhe rrezikon thellimin e tensioneve në një shoqëri multietnike.
Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore, përfshirë institucionet e drejtësisë, janë të detyruara të sigurojnë që proceset, dokumentet dhe komunikimi zyrtar të zhvillohen edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve.
Duke mos ofruar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe duke refuzuar zbatimin e kësaj të drejte ligjore, Ministria e Drejtësisë ka shkelur detyrat e saj zyrtare, ka cenuar parimin kushtetues të barazisë dhe ka vepruar në kundërshtim me rendin juridik të shtetit.
Për këto arsye, kërkojmë nga Prokuroria Themelore Publike të ndërmarrë menjëherë veprimet hetimore të nevojshme, çështja të procedohet para gjykatës kompetente dhe zbatimi i ligjit të garantohet pa asnjë formë diskriminimi.

