BDI thotë se i Pari i Drejtësisë po e cenon rendin kushtetues dhe barazinë gjuhësore
Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media dënon qëndrimin dhe deklarimet të ministrit të Drejtësisë, në lidhje me kërkesën e studentëve të juridikut, që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Nga BDI thonë se “në mënyrë brutale dhe të papranueshme, ministri ka injoruar kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit tëjurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.
“Ky veprim përbën precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës. BDI vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike”.
“Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë Ministrin e Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën, portë ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe gjuhë që është zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit”.
“Rikujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim”, thonë nga BDI.

