Gjykata e Mitrovicës refuzon kërkesat për paraburgimin e 10 të dyshuarve për manipulim votash
Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot ka mbajtur tri seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë të pandehurve, në rastin e manipulimit të votave në zgjedhjet e 28 Dhjetorit.
Gjykata njofton se pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, “Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri”.
Të pandehurit dyshohen se, secili veç e veç, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vijon tutje njoftimi i gjykatës.
“Gjykata ka vlerësuar se, në këtë fazë të procedurës penale, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi.

