RajoniTop Lajme

“Jam këtu jo si kriminel, por si njeri që luftoi për dinjitet njerëzor” – Jakup Krasniqi: Po më mohohet e drejta për të jetuar fazën e fundit të jetës pranë familjes dhe atdheut të lirë

Shpërndaje

Jakup Krasniqi theksoi para sallës së gjyqit në Hagë, ku mbajti fjalën e tij, se qëndron në atë sallë jo si një kriminel por si një njeri i kalitur në luftën për dinjitet njerëzor, i një populli që refuzoi të zhdukej nga gjenocidi serb.

“Qëndroj sot këtu para jush jo si një kriminel që përshkruan aktakuza e Prokurorisë, por si njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor nga një popull që refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë. Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri.”, u shpreh ai.

Më tej, ai theksoi se për më shumë se 5 vite qëndrimi në paraburgim i janë mohuar të drejtat themelore të njeriut. Më e rëndësishmja, theksoi ai, është e drejta që po i mohohet për të kaluar fazën e fundit të jetës pranë familjes dhe atdheut për të cilin luftoi për liri.

“Për më shumë se 5 vjet më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuara nga Konventa Evropiane, ndër to, më e rëndësishme është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë.

Kjo më është bërë pa shkaktuar padrejtësi askujt, pa rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm, përkundrazi, kam rrezikuar jetën time jo vetëm gjatë luftës por që nga vitet 1972. Së bashku me familjen time, bashkëkombasit e mi dhe bashkëfshatarët e mi.

Me besimin se errësira e padrejtësisë do të thuhej në agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse u angazhova për barazi për të gjithë. Pas qershorit 1998, kur dola hapur me emrin tim të plotë dhe pa maskë si zëdhënës i UÇK.”, u shpreh ai.