Bota

Komisioneri i Tregtisë së BE thirrje eurodeputetëve: Të votohet marrëveshja tregtare me SHBA -në

Shpërndaje

Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, u ka bërë thirrje eurodeputetëve të martën që të ecin përpara me paktin tregtar BE-SHBA, edhe pse Uashingtoni po shpall tarifa të reja dhe pasiguria ligjore vë në dyshim kushtet e marrëveshjes.

Marrëveshja u ngri papritur të hënën, pasi një vendim i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli të paligjshme shumicën e tarifave të vendosura në mbarë botën nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2025. Menjëherë pas vendimit, Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifa të reja prej 10% mbi importet nga aleatët e SHBA-së, përfshirë BE-në.

“Është e domosdoshme që ta vazhdojmë procesin përpara në zbatimin e angazhimeve tona. Një votim në seancë plenare në mars duhet të mbetet objektivi ynë, me kusht, sigurisht, që të marrim më shumë qartësi nga SHBA-ja”, u tha Sefcovic eurodeputetëve.

Ai tha gjithashtu se homologët e tij amerikanë e kishin telefonuar që të shtunën për ta “siguruar” se do t’i “përmbahen” marrëveshjes nëse BE-ja e respekton atë.

Por marrëveshja, e arritur në korrik 2025 nga Trump dhe Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen pas javësh të tëra polemikash tregtare, tani është pezull dhe kërkon miratimin e Parlamentit Evropian për të hyrë në fuqi.

E parë gjerësisht në Bruksel si e pabarabartë, marrëveshja mban tarifat amerikane prej 15% për mallrat e BE-së, ndërsa blloku heq tërësisht tarifat e veta për mallrat amerikane dhe zotohet të investojë qindra miliarda euro në SHBA.

Që nga vendimi i Gjykatës Supreme dhe pasojat në Uashington, Komisioni Evropian i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë të respektojë marrëveshjen dhe ka kërkuar qartësi mbi hapat e mëtejshëm, si dhe mbi kohëzgjatjen dhe fushëveprimin e tarifave të reja që Trump njoftoi pas vendimit.

“Çfarëdo që mbulohej nga marrëveshja e korrikut të vitit të kaluar duhet të mbulohet ende”, tha zëdhënësja kryesore e Komisionit Europian, Paula Pinho. /CNA