RajoniTop Lajme

Kurti me familjarë, ministra e aktivistë përkujtojnë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti së bashku me familjen Xheladini e Balaj, ministra, deputetë, anëtarë e aktivistë bënë homazhe e nderime tek varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, tek pllaka përkujtimore në sheshin “Nënë Tereza” për të vazhduar tek varri i Mon Balajt në Podujevë.

Më 10 shkurt 2007, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, përkrah mijëra qytetarëve që po marshonin paqësisht kundër padrejtësive të Pakos së Ahtisaarit, u qëlluan nga policia rumune e UNMIK-ut. Ata u vranë, ndërsa rreth 80 demonstrues të tjerë u plagosën, disa rëndë e disa lehtë. Hysni Hyseni Doda humbi syrin, Mustafë Nerjova mban ende sot një pjesë plastike në kafkë, ndërsa Zenel Zeneli vazhdon ta ketë plumbin pranë zemrës, pasi ndërhyrja kirurgjike do të kishte qenë fatale për jetën e tij.

Arsyet e protestës, fjalët e saj, kritikat dhe argumentet për zhvillimet e kohës vazhdojnë të jenë aktuale dhe Republika e Kosovës vazhdon të përballet me pengesat dhe dëmet e paralajmëruara që atëherë.

10 shkurti ka qenë dhe mbetet një ngjarje themelore e Republikës. Kjo datë, sakrifica e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, si dhe guximi i të gjithë atyre që ndoqën rrugën e tyre, do të mbeten në histori si dëshmi e vullnetit të palëkundur të popullit tonë për liri, drejtësi dhe vetëvendosje.

Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Monin dhe Arbenin. Drejtësia për ta është e pandashme nga liria dhe vetëvendosja e popullit të Kosovës në këtë shekull.

Kujtimi për Arbenin dhe Monin është i pashlyeshëm, ndërsa lavdia e tyre e përjetshme.

Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

Fjalimi i plotë i Kryeministrit Albin Kurti në përvjetorin e 19-të të 10 shkurtit 2007
Dy zhvillime të mëdha pasuan protestën e 10 shkurtit 2007.
Së pari, Pakoja e Ahtisaarit me padrejtësitë e saj zbarkoi në Kosovë më 2 shkurt 2007. Tetë ditë më vonë u mbajt demonstrata. Më 13 mars 2007, Martti Ahtisaari, si i dërguar special i OKB-së, i shtoi raportit të tij një letër ku për herë të parë përdori termin pavarësi e mbikëqyrur, vetëm një muaj pas demonstratës sonë. Më 15 mars raporti iu dorëzua Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, dhe më 26 mars ai iu përcoll Këshillit të Sigurimit.
Demonstrata e 10 shkurtit dëshmoi se Kosova destabilizohet kur populli i saj nuk ka liri dhe kur shteti nuk është i pavarur.
Së dyti, pas kësaj proteste, OKB-ja suspendoi përdorimin e plumbave të gomës në misionet e saj anembanë botës, duke e bërë jehonën e aktivistëve dhe demonstruesve tonë universale.
Mijëra demonstrues shprehën vullnetin për një Republikë të Kosovës me demokraci, barazi dhe drejtësi, për progres, zhvillim e mirëqenie, jo kundër pakicave, por me të drejta për të gjithë.
Arben Xheladini dhe Mon Balaj janë dëshmorë të vullnetit për liri dhe kujtimi i tyre mbetet i përhershëm në themelet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në rrugëtimin tonë në shërbim të popullit shqiptar dhe shtetit të Kosovës.