LSM nis bllokadat e paralajmëruara, do të bllokohet qasja drejt Parlamentit
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) nga nesër, me bllokimin e qasjes drejt Kuvendit të Maqedonisë, nis bllokadat e paralajmëruara të institucioneve që, sipas tyre, po e pengojnë rritjen e pagës minimale. Bllokada e Kuvendit do të fillojë në orën 9:00, ndërsa do të bllokohen rrugët “Dame Gruev” dhe “11 Tetori”. Me këtë veprim, siç theksojnë nga LSM, do të dërgohet mesazh për deputetët se pikërisht ata janë që po e bllokojnë ligjin për rritjen e pagës minimale tashmë më shumë se një vit dhe që nuk duan ta pranojnë iniciativën e LSM-së për uljen e pagave të funksionarëve.
“Sipas ligjit, nevojiten të paktën nga 21 persona në të dy lokacionet për t’i bllokuar deputetët, por i ftojmë të gjithë ata që munden të na bashkohen. Bllokada duhet të dërgojë mesazh se deputetët e mbajnë të bllokuar ligjin për pagën minimale më shumë se një vit, ndërsa në të njëjtën periudhë çdo familje është varfëruar për 9.500 denarë në muaj, pasi vlera e shportës minimale sindikale është rritur për aq para. Deputetët ende bëhen të shurdhër ndaj iniciativës së LSM-së për rritjen e pagës minimale dhe të pagave të tjera për 100 euro, si dhe ndaj iniciativës së fundit për uljen e pagave të tyre për 80 për qind – përkatësisht uljen e bazës së llogaritjes së pagës nga paga mesatare në pagën minimale dhe zvogëlimin e koeficientëve të ndërlikueshmërisë”, deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Në bllokadën e nesërme do të marrë pjesë edhe udhëheqësia dhe anëtarët e Sindikatës së UPOZ-it, të cilët dje, së bashku me KSS-në dhe Qeverinë, arritën marrëveshje për rritjen e shtesave në paga me 40 për qind deri në vitin 2028.

