RajoniTop Lajme

Mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”

Shpërndaje

Platforma “Liria Ka Emër” ka njoftuar se mbi 130 mijë qytetarë kanë marrë pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-katërshes së UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Postimi:
Mbi 130 mijë qytetarë në marshin “Drejtësi, jo politikë” – marshimi më i madh në historinë e Kosovës së lirë
Sipas vlerësimeve të ekspertëve dhe të dhënave nga terreni, mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë sot në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbrojtje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre, duke e bërë atë marshimin më të madh në historinë e Kosovës së lirë.
Sheshi dhe rrugët kryesore të Prishtinës ishin të stërmbushura me qytetarë nga të gjitha komunat e vendit, nga rajoni, diaspora dhe përtej oqeanit. Prania masive, organizimi qytetar dhe mesazhi i qartë e shndërruan këtë marsh në një moment historik të solidaritetit dhe qëndresës qytetare.
Fatkeqësisht, me mijëra qytetarë të tjerë mbetën të bllokuar në trafik, në hyrje dhe dalje të ndryshme të kryeqytetit, gjatë ardhjes në Prishtinë. Fluksi i jashtëzakonshëm i pjesëmarrësve dëshmon për përmasat reale të kësaj mobilizimi mbarëkombëtar.
Edhe përkundër kushteve jo të favorshme atmosferike, zëri i popullit nuk u ndal. As shiu, as vështirësitë logjistike nuk e zbehën vendosmërinë për të kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.
Platforma Qytetare “Liria Ka Emër” shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për secilin qytetar, për çdo familje, për të rinjtë, për mërgatën dhe për të gjithë ata që kontribuuan në këtë mobilizim historik.
Ky marsh dëshmoi qartë: kur populli flet, ai flet me dinjitet, me përgjegjësi dhe me zë të fuqishëm.
Drejtësi, jo politikë.
Liri për çlirimtarët.