MaqedoniTop Lajme

Mbi 45 milionë denarë të rikthyera në buxhetin e shtetit, Fetai: Konfiskimi i pasurisë së paligjshme po jep rezultate konkrete dhe të matshme

Shpërndaje

Sot u mbajt mbledhja e parë konstituive e Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, me ç’rast zyrtarisht filloi punën organi më i lartë koordinues përgjegjës për monitorimin dhe avancimin e institucioneve që zbatojnë hetimet financiare dhe konfiskimin e pasurisë.
Me Këshillin kryesoi Zëvendëskryeministri i Qeverisë i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, ndërsa në mbledhje morën pjesë Kryeministri i Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, të sektorit civil, si dhe anëtarët e Këshillit.
Formimi dhe konstituimi i Këshillit është pjesë e Strategjisë Nacionale për forcimin e kapaciteteve për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë 2025–2028 dhe Planit të Veprimit 2025–2026, të iniciuara dhe të koordinuara nga Zëvendëskryeministri Fetai, me qëllim të qartë për forcimin e koordinimit institucional dhe sigurimin e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme politike për zbatimin e tyre.
Gjatë mbledhjes u shqyrtua Raporti i parë vjetor për vitin 2025, i cili evidenton rezultate konkrete dhe të matshme, veçanërisht në fushën e menaxhimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar. Vetëm gjatë vitit 2025 janë realizuar mbi 45 milionë denarë të ardhura direkte në buxhetin e shtetit, si dhe janë evidentuar raste konkrete të përdorimit shoqëror të pasurisë së konfiskuar, me përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët.
Njëkohësisht, raporti tregon rritje të ndjeshme të vlerës së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara krahasuar me vitet e mëparshme, duke dëshmuar ndërtimin e një “track record”-i real dhe të qëndrueshëm, të bazuar në rezultate dhe jo vetëm në kornizë normative.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Fetai theksoi se hetimi financiar përfaqëson gur-themelin e qeverisjes efektive dhe të sundimit të ligjit, duke nënvizuar se hetimi financiar efektiv nuk është shtesë opsionale, por shtyllë themelore e aftësisë së shtetit për të ruajtur rendin, për të mbrojtur qytetarët dhe për të garantuar integritetin e sistemit ekonomik.
Ndërtimi i kapaciteteve rezistente dhe funksionale për hetime financiare është maratonë, jo sprint, por proces që kërkon përkushtim politik afatgjatë dhe të vazhdueshëm, por që tashmë po jep rezultate të qarta dhe të matshme.
Në këtë kontekst, u theksua se rezultatet e arritura janë thelbësore edhe për rrugëtimin evropian të shtetit, duke pasur parasysh se ndërtimi i bilancit të qëndrueshëm në konfiskimin e pasurisë së paligjshme përbën një nga kushtet kyçe të Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit.
Në përmbyllje, u potencua se Këshilli Nacional do të ketë rol të qartë në monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit, do të nxjerrë konkluzione dhe do të propozojë masa konkrete për Qeverinë, me fokus te rezultatet, përgjegjësia dhe koordinimi i detyrueshëm ndërinstitucional.