Mickoski: Kam informacione konfidenciale pse Grubi nuk u dërgua në “Shutkë”, por nuk mund t’i publikoj
Kryeministri Hristijan Mickoski në një paraqitje televizive në „Sitel“ deklaroi se ka kërkuar shpjegime të detajuara nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Siguri Kombëtare lidhur me vlerësimet e sigurisë, mbi bazën e të cilave u konstatua se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi nuk do të ishte i sigurt nëse do të dërgohej në burgun hetues të Shkupit, i njohur si „Shutka“.
Mickoski konfirmoi se i ka pranuar këto shpjegime, por theksoi se nuk mund t’i ndajë ato me publikun pasi bëhet fjalë për informacione të klasifikuara dhe rreptësisht sekrete që gjenden në dokumente zyrtare.
Gjatë intervistës, ai hodhi poshtë spekulimet se kthimi i Grubit në vend pas 14 muajsh në arrati, si dhe ikja e tij e mëparshme përmes pikës kufitare „Bllacë“ me ndihmën e policisë, ishin rezultat i ndonjë marrëveshjeje politike ose pazari mes pushtetit dhe ish-zyrtarëve.
Vendimi për ta dërguar Grubin në burg shtëpiak në vend të burgut efektiv ka nxitur reagime të ashpra në opinion, por përfaqësuesit e pushtetit insistojnë se kjo ishte kompetencë ekskluzive e Prokurorisë dhe Gjykatës, ku kjo e fundit nuk mund të caktojë masë më të rëndë se ajo që kërkon prokurori. Artan Grubi dyshohet për keqpërdorime financiare lidhur me Lotarinë Shtetërore në një rast që peshon rreth tetë milionë euro.

