MaqedoniTop Lajme

MPB: Sekuestrohen mbi 40 tonë drogë, aksioni vazhdon (VIDEO)

Shpërndaje

Ministria e Punëve të Brendshme njofton publikun se është në zhvillim një aksion i gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane.

Në një person juridik në Shkup janë gjetur dhe konfiskuar rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1.300 shishe vaj të prodhuar nga kanabisi (gjysmëprodukt). Ndërkohë, nga persona juridikë në rajonin lindor të vendit janë sekuestruar mbi 31 ton marihuanë dhe biomasa.

Në koordinim me Drejtorinë e Doganave dhe Komisionin kompetent për kontrollin e kësaj veprimtarie pranë Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer kontrolle në disa persona juridikë, veprimtaria bazë e të cilëve është kultivimi i bimëve aromatike, mjekësore dhe bimëve për përdorim farmaceutik. Po ashtu, në koordinim me prokurorin publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJQO–GOKK), po ndërmerren masa dhe aktivitete për të përcaktuar faktet nëse marihuana e sekuestruar së fundmi në Republikën e Serbisë ka origjinë nga shteti ynë.

Duke qenë se një nga personat e dyshuar dhe të ndaluar në Republikën e Serbisë është pjesë e strukturës pronësore të personit juridik në Shkup, janë kryer kontrolle dhe verifikime të detajuara mbi sasinë e gjetur në këtë subjekt, si dhe mbi dokumentacionin e plotë të siguruar në ambientet e tij. Në bazë të dokumentacionit të gjetur, Komisioni nga Ministria e Shëndetësisë ka përpiluar procesverbal, në të cilin janë konstatuar një sërë parregullsish në punë dhe mospërputhje të mëdha lidhur me sasitë që personi juridik i posedon, prodhon, furnizon dhe shpërndan.

Për shkak të parregullsive të konstatuara dhe pas njoftimit nga prokurori publik kompetent, nga ambientet e personit juridik është konfiskuar e gjithë sasia e marihuanës së gjetur. Gjithashtu, janë kryer kontrolle edhe në disa persona juridikë në rajonin lindor, ku po ashtu nga komisioni kompetent janë konstatuar parregullsi dhe mospërputhje lidhur me sasitë e posedimit, prodhimit, furnizimit dhe shpërndarjes, pas çka është konfiskuar sasia e gjetur.

Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ku është formuar një ekip i posaçëm për këtë dhe raste të ngjashme, do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme me ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.