RajoniTop Lajme

Në Mitrovicë vendoset pllakë përkujtimore në kujtim të natës së tmerrit

Shpërndaje

Sot, në shënimin e 26-vjetorit të masakrës në Mitrovicë, në urën e re për këmbësorë u vendos një pllakë përkujtimore, në kujtim të 10 civilëve shqiptarë të vrarë nga ‘Rojet e urës’.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci tha se ata u vranë vetëm e vetëm që ishin shqiptarë.

“Në urën e re për këmbësorë dëshirojmë që të kemi edhe një mesazh që për lirinë në veri të Kosovës, edhe pas çlirimit të Kosovës u desh të derdhet gjak”, shtoi ai në një prononcim para mediave.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në Qendrën e Kulturës do të hapet një ekspozitë me fotografi që dokumentojnë ngjarjet e natës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, ndërsa aktivitetet përkujtimore do të përmbyllen në orën 12:30 me ndezjen e qirinjve te ura e re, në nderim të viktimave dhe në kujtim të vuajtjeve të shqiptarëve të asaj nate.

Postimi nga PECI:

Regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pasardhësve të tij, edhe pas çlirimit dhe në prani të KFOR-it në Kosovë, vrau 10 shqiptarë, plagosi 25 dhe kreu dhunshëm spastrimin etnik të rreth 12 mijë shqiptarëve nga pronat e tyre në veri të Mitrovicës.
Në shënim të Natës së Tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, dhe në nderim të 10 civilëve shqiptarë të vrarë, sot u bë zbulimi i pllakës përkujtimore në urën e re mbi lumin Ibër.
Lavdi të rënëve!