Osmani mirëpret delegacionin nga Emiratet për mbështetje në shëndetësi
Pas takimit me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, javën e kaluar në Abu Dhabi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur delegacionin e lartë të dërguar nga ai.
Postimi nga OSMANI:
Pas takimit të shkëlqyeshëm me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, javën e kaluar në Abu Dhabi, sot patëm nderin të mirëpresim në Kosovë delegacionin e lartë të dërguar personalisht prej tij – me një mision të qartë: mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e shëndetësisë, si dhe thellimin e marrëdhënieve tona dypalëshe përmes projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Së bashku me delegacionin e Emirateve dhe Ministrin Vitia u mirëpritëm nga stafi e menaxhmenti i QKUK, prindër e fëmijë në spitalin e fëmijëve Sheikha Fatima, të ndërtuar nga Emiratet, si dhe vizituam lokacionin ku do të ndërtohet spitali i ri i gjinekologjisë në Prishtinë, i cili bazuar në dakordimin tonë paraprak do të bëhet me mbështetje të Emirateve.
Mëpastaj vizituam Mitrovicën ku u pritëm nga Kryetari Faton Peci dhe diskutuam edhe idenë e një projekti të ri transformues në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë.
Mirënjohje e thellë për Lartësinë e tij, Presidentin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe për Lartësinë e saj, Sheikha Fatima Bint Mubarak, për mbështetjen, besimin dhe miqësinë e sinqertë ndaj Kosovës.
🇽🇰 🇦🇪

