Presidenca planifikon ta padisë gazetarin gjerman që shkroi për Osmanin
Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Rinor Nuhiu, ka deklaruar se po shqyrtohen hapa ligjorë ndaj gazetarit të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, lidhur me një shkrim të publikuar të mërkurën.
Sipas Nuhiut, pretendimet e paraqitura në artikull janë shpifëse, të pabaza dhe përbëjnë përhapje të dezinformatave. Ai ka bërë të ditur se Presidentja Osmani po konsultohet me avokatë në Gjermani për ndjekje civile dhe penale, në përputhje me legjislacionin gjerman.
Në shkrimin e tij, Martens kishte pretenduar se Presidentja Osmani po përpiqet të sigurojë një mandat tjetër presidencial duke u mbështetur në përkrahjen amerikane dhe duke u paraqitur si e ashtuquajtura “kandidate e Trumpit”.
“Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht këto pretendime shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformimit. Janë duke u shqyrtuar të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e integritetit të institucionit dhe të shtetit që ajo përfaqëson”, ka shkruar Nuhiu në platformën “X”.
Nacionale Facebook

