Protesta masive për shkak të vizitës së presidentit izraelit në Australi, kërkohet përgjegjësi për Gazën
Policia dhe protestuesit u përleshën ndërsa mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë Australinë për të protestuar kundër vizitës që presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, filloi të hënën në vend, transmeton Anadolu.
Mijëra protestues janë në rrugët e kryeqytetit, Canberra, dhe në Sydney, Melbourne dhe Brisbane, ndërsa policia u përpoq të kontrollonte turmat që brohorisnin slogane kundër Herzog, raportoi Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC).
Policia u pa duke u përpjekur të frenonte protestuesit në Sydney, dhe njerëzit u dëgjuan duke brohoritur, “Ne do të marshojmë”.
Herzog është në Australi për një vizitë zyrtare, ndërsa policia, siguria izraelite dhe snajperët ndjekin çdo lëvizje të presidentit izraelit dhe gruas së tij që kur ai mbërriti në Sydney për t’u takuar me komunitetet hebraike pas sulmit terrorist në Bondi në dhjetor.
Rreth 5.000 demonstrues u mblodhën në Bashkinë e Sydney pasi një gjyqtar i Gjykatës së Lartë hodhi poshtë një sfidë urgjente ligjore nga Grupi i Veprimit Palestinez kundër kompetencave të dhëna Policisë së Uellsit të Ri Jugor.
Rreth 200 policë u pozicionuan përreth tubimit në Sydney, ku folësit dënuan presidentin izraelit Herzog, duke e quajtur atë kriminel lufte dhe duke dënuar fushatën e bombardimeve të Izraelit në Gaza.
Rreth 30 tubime të tjera priten të zhvillohen në të gjithë vendin si protesta për vizitën katër-ditore të Herzogut.
Menjëherë pas mbërritjes së tij, Herzog vizitoi plazhin Bondi, ku vendosi një kurorë jashtë pavijonit në nder të 15 viktimave si pasojë e të shtënave masive që ndodhën gjatë një festimi të Hanukkah më 14 dhjetor 2025.
Duke iu drejtuar medias, Herzog dënoi “përhapjen e antisemitizmit si një emergjencë globale”.
Siguria në Sydney është forcuar, me mbyllje rrugësh në disa pika dhe me praninë e më shumë se 3.000 oficerëve policor të vendosur.
Një komision i posaçëm hetimor i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së për luftën në Rripin e Gazës zbuloi vitin e kaluar se Izraeli po kryente gjenocid dhe tha se komentet e bëra nga Herzog pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ishin prova të qëllimit gjenocidal.
Ndërkohë, Këshilli Hebraik Progresiv i Australisë nisi një fushatë të madhe reklamuese në gazetat kryesore australiane të hënën, duke shprehur kundërshtimin ndaj vizitës zyrtare të presidentit izraelit Isaac Herzog.
Këshilli publikoi një letër të hapur të nënshkruar nga mbi 1.000 akademikë hebrenj australianë, profesionistë ligjorë, artistë dhe udhëheqës të komunitetit, duke i kërkuar kryeministrit Anthony Albanese të tërheqë ftesën e tij.
Grupe të tjera hebraike e mirëpritën vizitën e Herzog. Alex Ryvchin, bashkëdrejtor ekzekutiv i Këshillit Ekzekutiv të Hebraizmit Australian, tha se kjo do të ngrinte moralin e komunitetit hebraik.
Vizita e Herzog vjen pas armëpushimit që ndaloi ofensivën izraelite e cila filloi në tetor 2023, dhe e cila ka vrarë mbi 72.000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 171.000 të tjerë, ndërsa ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës së Gazës.
Pavarësisht armëpushimit, ushtria izraelite ka vazhduar ta shkelë atë, duke vrarë 576 palestinezë dhe duke plagosur 1.543 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

