Raundi i tretë i bisedimeve trepalëshe për Ukrainën vazhdon nesër në Gjenevë
Raundi i tretë i bisedimeve trepalëshe për paqen midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së do të vazhdojë nesër në Gjenevë, pasi sesioni i parë u përmbyll sot, transmeton Anadolu.
Negociatat, që nisën pasdite, zgjatën më shumë se katër orë dhe u zhvilluan vetëm një javë para përvjetorit të katërt të luftës Rusi-Ukrainë.
Delegacioni rus u drejtua nga ndihmësi i presidentit, Vladimir Medinsky, i cili zëvendësoi zyrtarët e lartë ushtarak që kishin udhëhequr raundet e mëparshme në Abu Dhabi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para takimit deklaroi se bisedimet do të përfshinin një “gamë më të gjerë çështjesh”, përfshirë “çështjet kryesore që lidhen me territoret”, të cilat i cilësoi si thelbësore për kërkesat e Moskës.
Delegacioni ukrainas u udhëhoq nga Rustem Umerov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes.
“Ne kemi një kornizë pune të dakorduar nga presidenti i Ukrainës dhe një mandat të qartë. Çështjet e sigurisë dhe ato humanitare janë në agjendë”, shkroi Umerov në Telegram.
“Po punojmë në mënyrë konstruktive, të përqendruar dhe pa pritshmëri të panevojshme. Detyra jonë është të avancojmë maksimalisht zgjidhjet që mund ta afrojnë paqen e qëndrueshme”, shtoi ai.
Këshilltarë të sigurisë nga katër vende evropiane, respektivisht nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, thuhet se morën pjesë në bisedime.
Zyrtarët ukrainas pritej të kërkonin një armëpushim në sektorin energjetik dhe të sqaronin mënyrën e funksionimit të një mekanizmi monitorimi në rast arritjeje të një marrëveshjeje.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, para takimit paralajmëroi se Rusia mund të jetë duke përgatitur një “sulm masiv”, duke argumentuar se presioni ushtarak nuk është zbutur pavarësisht rifillimit të negociatave.
Bisedimet po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe nuk pritet ndonjë deklaratë e menjëhershme.

