SHBA dhe Izraeli nisin sulmet ndaj Iranit, Trump: “Kanë filluar operacione të mëdha luftarake”
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një sulm të përbashkët ndaj Irani, të cilin ministri i Mbrojtjes Izrael Katz e cilësoi si “sulm parandalues”, ndërsa shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin izraelit për shkak të pritjes së një kundërpërgjigjeje me dronë dhe raketa balistike nga Teherani. Sipas raportimeve fillestare, sirena alarmi dhe shpërthime të forta janë dëgjuar në kryeqytetin iranian, duke rritur frikën për një përshkallëzim të menjëhershëm të konfliktit në rajon.
Burime izraelite për CNN konfirmuan se operacioni ishte i koordinuar me Uashingtonin, ndërsa zyrtarë amerikanë, të cituar nga The New York Times, thanë se sulmi pritet të jetë “shumë më i gjerë” krahasuar me bastisjet ajrore të qershorit të kaluar ndaj impianteve bërthamore iraniane. Presidenti Donald Trump kishte paralajmëruar më herët se SHBA do të shqyrtonte ndërhyrje ushtarake nëse Irani nuk pranonte një marrëveshje për programin e tij bërthamor.
Në Teheran raportohet se shpërthimet janë përqendruar në lindje dhe veri të qytetit, përfshirë zonën pranë Urës Seyed Khandan, ku ndodhet selia e përbashkët e forcave të armatosura iraniane, ndërsa autoritetet kanë mbyllur hapësirën ajrore. Zyrtarë iranianë kanë paralajmëruar se përgjigjja do të jetë “shkatërruese”, në një kohë kur tensionet e brendshme në vend janë rritur për shkak të protestave kundër regjimit. Situata mbetet në zhvillim, me frikën e një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake mes palëve.

