MaqedoniTop Lajme

Studentët e Katedrës së Informatikës të Universitetit të Tetovës shkëlqejnë në fushën e mbrojtjes kibernetike

Shpërndaje

Studentët e Katedrës së Informatikës të UT-së, më 21 shkurt 2026, e kanë përfaqësuar me dinjitet dhe profesionalizëm institucionin tonë në fushën e Mbrojtjes Kibernetike, duke dëshmuar përgatitje të lartë akademike dhe kompetencë të avancuar teknike në garë me kolegë nga Universiteti i Iowa-s (SHBA) dhe universitete të tjera prestigjioze të rajonit.

Pjesëmarrja e tyre përbën një dëshmi të qartë të kapaciteteve intelektuale dhe të angazhimit të vazhdueshëm të universitetit tonë në ndërtimin e një kulture të ekselencës në fushën e teknologjisë dhe sigurisë digjitale. Në një realitet ku infrastruktura teknologjike dhe mbrojtja e të dhënave janë elemente kyçe të funksionimit institucional dhe shtetëror, përgatitja e këtyre studentëve përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe sovranitetin digjital.

Prof. Dr. Festim Halili, udhëheqës i grupit studentor të sigurisë kibernetike, theksoi se: “Ekspertët e mbrojtjes kibernetike janë gardianët mbrojtës të shoqërisë moderne”, duke vënë në pah rolin strategjik të këtij formimi profesional.

Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar në investimin e vazhdueshëm në dije, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke e konsideruar zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike si prioritet strategjik për të ardhmen akademike dhe shoqërore.