RajoniTop Lajme

Trump uron Presidenten Osmani: Mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, transmeton Anadolu.

Në letrën e tij drejtuar Presidentes Osmani, sipas njoftimit nga presidenca e Kosovës, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e SHBA-së për zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me synim avancimin e prosperitetit të përbashkët, si dhe ka theksuar se SHBA janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për avancimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Trump ka shprehur gjithashtu falënderimin ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, “i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.

Në fund të mesazhit, Presidenti Trump shprehu besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.