Ushtria izraelite dëmton vreshtat në Bregun Perëndimor të pushtuar, bastis vendbanime palestineze
Ushtria izraelite shkuli të hënën rreth 200 hardhi të vjetra në guvernatoratin e Betlehemit dhe bastisi disa vendbanime dhe fshatra në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.
Forcat izraelite përdorën buldozerë për të rrafshuar tokën bujqësore në vendbanimin Al-Khader, në jug të Betlehemit, duke shkulur afërsisht 200 hardhi, raportoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa.
Zëvendëskryetari i bashkisë, Husni Issa, tha se shkatërrimi i tokës ndodhi në zonën Um Rukba në jug të qytetit, shtoi Wafa.
Në incidente të ndara, forcat izraelite bastisën një shtëpi palestineze në Hizma, në verilindje të Kudsit Lindor të pushtuar, dhe e shndërruan atë në një postbllok ushtarak, tha agjencia.
Trupat e vendosura në të gjithë qytetin, sulmuan shtëpinë dhe e detyruan familjen të evakuohej para se ta përdornin atë si një pozicion ushtarak si pjesë e operacioneve të vazhdueshme në zonë, shtoi Wafa.
Agjencia tha se forcat izraelite hynë gjithashtu në fshatrat Kafr Malik dhe Barqa, në verilindje dhe në lindje të Ramallahut.
Në Bregun Perëndimor jugor, dëshmitarët thanë se trupat izraelite bastisën venddbanimin Al-Dhahiriya në guvernatoratin Khalil, ngritën një pikë kontrolli, kontrolluan automjete palestineze dhe detyruan disa të rinj të dilnin nga makinat e tyre për kontrolle trupore.
Operacionet ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor janë intensifikuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, duke përfshirë vrasje, shkatërrim shtëpish, zhvendosje të palestinezëve dhe zgjerim të vendbanimeve.
Palestinezët argumentojnë se përshkallëzimi synon të hapë rrugën për aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli, gjë që ata thonë se do t’i jepte fund në mënyrë efektive perspektivave për një zgjidhje me dy shtete të parashikuar në rezolutat e OKB-së.
Më shumë se 1.110 palestinezë janë vrarë, rreth 11.500 janë plagosur dhe mbi 21.000 janë arrestuar në Bregun Perëndimor gjatë kësaj periudhe, sipas shifrave zyrtare palestineze.

