VMRO-DPMNE: LSDM është në panik sepse Artan Grubi mund të zbulojë krimet e tyre të përbashkëta
Partia në pushtet VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj akuzave të LSDM-së, duke theksuar se vendimi për arrest shtëpiak ndaj Artan Grubit është kompetencë ekskluzive e Prokurorisë, i të njëjtit institucion me vetëm 2% besim, të cilin socialdemokratët e mbrojtën me çdo kusht që të mos reformohej.
Sipas VMRO-DPMNE-së, udhëheqësia e LSDM-së po tregon një jokonsistencë totale, duke pretenduar në mëngjes se BDI punon për VMRO-në, ndërsa pasdite të kundërtën, gjë që sipas tyre dëshmon panikun e vërtetë që ka kapluar opozitën.
Nga VMRO-DPMNE hedhin akuza se frika e vërtetë e krerëve të LSDM-së qëndron në faktin se ish-zyrtari i lartë i BDI-së mund të fillojë të flasë për skemat kriminale dhe bizneset e përbashkëta të qeverive të kaluara, duke përfshirë emrat e Zoran Zaevit, Venko Filipçes, Dimitar Kovaçevskit dhe Mile Zeçeviqit.
Në kumtesë thuhet se ka informacione që krerët e LSDM-së kanë kaluar ditën duke bërë thirrje telefonike për t’u interesuar mbi dëshminë e Grubit në prokurori, gjë që shpjegon edhe sjelljen e tyre sipas logjikës “hajduti thërret kapeni hajdutin”. Sipas partisë në pushtet, “kutia e zezë” e krimeve mes LSDM-së dhe BDI-së tashmë është hapur dhe është vetëm çështje kohe se kur zyrtarët e frikësuar të opozitës do t’i bashkohen Grubit në bankat e të akuzuarve.

