700 shtetas të Maqedonisë të bllokuar në Lindjen e Mesme, bileta për Shkup arrin në 20.000 euro!
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në Lindjen e Mesme po përballen me probleme serioze gjatë përpjekjes për t’u kthyer në vendin e tyre, pasi përshkallëzimi i ri i konfliktit në rajon ndërpreu trafikun ajror dhe rriti çmimet e biletave të avionit në nivele rekord.
Sipas kryetarit të Dhomës së Turizmit dhe Mikpritjes së Maqedonisë, Arkan Kerim, aktualisht rreth 700 deri në 800 qytetarë ndodhen në këtë rajon dhe duan të kthehen në shtëpi, por kjo është pothuajse e pamundur për shkak të kufizimeve teknike dhe çmimeve të larta të fluturimeve.
“Problemi më i madh për momentin është se aeroporti më i madh në botë, Dubai, ka ndaluar së punuari. Ndërlidhjet midis Australisë, Azisë dhe Evropës janë ndërprerë. Në fakt, një rrjedhë e madhe e trafikut ajror është ndërprerë nga ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme. Maqedonia është prekur nga fakti se ka rreth 700 – 800 turistë ose njerëz që jetojnë në këtë rajon që duan të kthehen. Aktualisht, kthimi është teknikisht shumë i vështirë dhe pothuajse i pamundur, sepse çmimet e biletave të avionit nga Dubai kanë arritur një rekord prej 20,000 eurosh për një vend të vetëm. Dhe për këtë arsye duhet të presim dhe të monitorojmë të gjithë situatën. Kishte mundësi për të udhëtuar në Arabinë Saudite dhe për t’u kthyer që andej. Megjithatë, Arabia Saudite kërkon viza për qytetarët e Maqedonisë dhe kjo e bën kthimin pak më të vështirë, sepse një vizë saudite nuk është aq e lehtë për t’u marrë”, thotë Kerim./faktor

