Ahmeti uron 7 Marsin: Arsimi shqip, shtyllë e identitetit dhe e së ardhmes sonë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ka shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit, duke theksuar rolin e tyre vendimtar në ndërtimin e arsimit dhe të ardhmes së shoqërisë.
Në mesazhin e tij, Ahmeti thekson se arsimi në gjuhën shqipe ka qenë gjithmonë një nga shtyllat kryesore të identitetit dhe zhvillimit kombëtar, ndërsa përkushtimi i mësimdhënësve ka qenë themelor në këtë rrugëtim.
Ai nënvizon se Bashkimi Demokratik për Integrim ka dhënë kontribut të rëndësishëm në forcimin e arsimit shqip, veçanërisht në themelimin dhe konsolidimin e universiteteve në gjuhën shqipe në vend.
“Sot kemi tre universitete me kushte hapësinore dhe kadrovike solide, institucione që po forcohen çdo ditë dhe që po nxjerrin kuadro cilësore. Komuniteti ynë akademik, dalëngadalë, po depërton edhe në hapësirën globale akademike me profesionalizmin dhe cilësinë e vet”, thekson Ahmeti.
Ai shton se një nga prioritetet e BDI-së ka qenë ruajtja dhe përforcimi i dinjitetit të profesionit të mësimdhënies, duke përmendur rritjen e pagave për mësimdhënësit në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë.
Sipas tij, synimi është që përmirësimi i statusit të mësimdhënësve të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi ende ka nevojë për avancim të mëtejshëm të kushteve dhe vlerësimit të këtij profesioni.
Ahmeti gjithashtu theksoi se në vitet e fundit janë ndërtuar më shumë shkolla të reja, salla sportive dhe janë përmirësuar kushtet për zhvillimin e procesit arsimor.
“Sigurisht, ka ende shumë për të bërë dhe ne mbetemi të përkushtuar që investimi në arsim të vazhdojë pa u ndalur”, thuhet në mesazhin e tij.
Në fund të urimit, kryetari i BDI-së ka uruar të gjithë mësimdhënësit për 7 Marsin, duke shprehur respekt për, siç tha ai, “misionin e shenjtë në formësimin e brezave dhe në ndërtimin e së ardhmes sonë”.

