AKI: Delegacion njëetnik në dialogun strategjik me SHBA – përjashtim i papranueshëm i realitetit shumëetnik
Dialogu strategjik ndërmjet Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një proces me rëndësi të veçantë dhe ne e mbështesim si të tillë. Megjithatë, mënyra se si është përbërë delegacioni që do të përfaqësojë vendin në Washington e dëmton këtë proces. Përbërja njëetnike e delegacionit nuk pasqyron realitetin shumëetnik të shtetit dhe përbën një përjashtim të hapur dhe të qëllimshëm.
Një qasje e tillë nuk mund të arsyetohet dhe përbën një precedent të rrezikshëm në përfaqësimin ndërkombëtar të vendit. Qeveria, në vend që të reflektojë diversitetin dhe barazinë e garantuar në shtet, po zgjedh të injorojë themelin mbi të cilin është ndërtuar bashkëjetesa. Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është një formalitet politik, por bazë e rendit kushtetues dhe e funksionimit të shtetit.
Çdo anashkalim i saj është i papranueshëm. Një delegacion që nuk përfaqëson të gjithë qytetarët nuk ka legjitimitet të plotë për të folur në emër të shtetit në procese kaq të rëndësishme strategjike. Dënojmë fuqishëm këtë qasje përjashtuese dhe kërkojmë përgjegjësi institucionale, si dhe përfshirje të barabartë në përfaqësimet ndërkombëtare.
Njëkohësisht, dënojmë qëndrimin e VLEN-it, i cili me mbështetjen e tij ndaj kësaj qeverie është bërë pjesë e këtij përjashtimi dhe ka legjitimuar një praktikë të papranueshme diskriminuese. Përfaqësimi i barabartë nuk është zgjedhje politike – është detyrim kushtetues.

