BDI: Heqja e lidhjes me Shqipërinë nga Korodori 8 do ta shkatëronte vetë koridorin (VIDEO)
Të nderuar përfaqësues të mediave, Para disa ditësh Ministri i Transportit deklaroi publikisht se segmenti Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8, mund të përjashtohet nga projekti, duke u arsyetuar me kufizime që lidhen me UNESCO-n. Kjo deklaratë është alarmante dhe e papranueshme. Korridori 8 nuk është një projekt lokal infrastrukture. Ai është korridor strategjik që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke bashkuar Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë në një aks të vetëm ekonomik dhe gjeopolitik. Segmenti Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë është pjesë përbërëse e këtij korridori dhe pjesë e planit të miratuar dhe të kontratave ekzistuese.
Heqja e këtij segmenti nuk është thjesht ndryshim teknik. Do të thotë të dëmtohet vetë logjika dhe funksioni i Korridorit 8. Sepse pa këtë segment, ndërpritet lidhja natyrore e korridorit mes Adriatikut dhe Ballkanit Lindor. Kjo nuk është vetëm çështje infrastrukture. Kjo është edhe çështje gjeostrategjike. Korridori 8 është një nga projektet që forcon lidhjen perëndim–lindje në krahun jugor të NATO-s. Dobësimi i këtij korridori hap hapësirë për promovimin e aksit veri–jug, që përkon me projekte infrastrukturore të promovuara në rajon nga aktorë të tjerë gjeopolitikë. Dhe ne e dimë shumë mirë se pas këtij orientimi shpesh qëndron ndikimi i projekteve që lidhen me Serbinë, si dhe me interesat e Kinës dhe Rusisë në rajon. Prandaj çdo tentativë për të dobësuar Korridorin 8 duhet parë me seriozitet maksimal. Dje në Strugë ishte zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekoli. Ajo promovoi projekte të tjera, por nuk tha asnjë fjalë për deklaratën e ministrit të saj.
Asnjë reagim. Asnjë sqarim. Asnjë qëndrim. Ministri paralajmëron përjashtimin e Strugës nga Korridori 8, ndërsa zëvendësministrja shqiptare hesht. Por në heshtje nuk është vetëm zëvendësministrja. Hesht edhe kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, i cili në vend që të mbrojë interesin e qytetit që drejton, po shërben si alibi për këtë situatë. Prandaj sot shtrojmë disa pyetje të drejtpërdrejta: A po planifikon qeveria të heqë segmentin Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë nga Korridori 8? A është kjo arsyeja pse ministri e paralajmëroi publikisht këtë mundësi? Dhe pse zëvendësministrja Kaltrina Zekoli dhe kryetari i Komunës së Strugës nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë çështje? Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta.
Korridori 8 është projekt strategjik shtetëror dhe ndërkombëtar. Ai nuk mund të ndryshohet me deklarata të rastësishme apo me kalkulime politike. Çdo tentativë për të përjashtuar Strugën nga ky korridor është e papranueshme. Kërkojmë nga Ministria e Transportit dhe nga Qeveria të sqarojnë menjëherë nëse segmenti Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë mbetet pjesë e Korridorit 8. Sepse dobësimi i këtij korridori nuk dëmton vetëm Strugën. Ai dëmton rolin strategjik të Maqedonisë së Veriut në lidhjen Adriatik – Deti i Zi dhe në arkitekturën e sigurisë së NATO-s në rajon. Dhe kjo është diçka që nuk mund të pranohet.

