Britania dhe Siria diskutojnë “nevojën për plan të zbatueshëm” për të rihapur Ngushticën e Hormuzit
Udhëheqësi i Mbretërisë së Bashkuar dhe ai i Sirisë theksuan sot “nevojën për një plan të zbatueshëm për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, sipas një deklarate të qeverisë britanike, transmeton Anadolu.
Kryeministri britanik, Keir Starmer priti presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa në “10 Downing Street”, ku të dy liderët e cilësuan takimin si një “moment të rëndësishëm” për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Të dy liderët theksuan synimin e tyre për të “punuar me të tjerët për të rikthyer lirinë e lundrimit”, duke lënë të kuptohet për bashkëpunim të mundshëm ndërkombëtar për të ulur tensionet në Gjirin Persik dhe për të siguruar një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë.
Ata diskutuan për konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, duke theksuar nevojën për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të rikthyer stabilitetin rajonal.
Ata trajtuan përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke përmendur ndikimin e rëndë ekonomik që ka shkaktuar mbyllja e zgjatur e saj, dhe ranë dakord të punojnë me partnerë ndërkombëtarë për të garantuar lirinë e lundrimit.
Starmer mirëpriti veprimet e Sirisë kundër organizatës terroriste ISIS (DEASH) dhe theksoi rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit. Migracioni ishte një tjetër temë kyçe, ku lideri britanik kërkoi bashkëpunim më të ngushtë për kthimin e migrantëve, sigurinë kufitare dhe luftimin e rrjeteve të kontrabandës së njerëzve.
Të dy palët gjithashtu theksuan rëndësinë e rindërtimit të infrastrukturës së Sirisë si pjesë e tranzicionit të saj ekonomik, duke diskutuar edhe rolin e mundshëm të bizneseve britanike. Sipas deklaratës zyrtare, liderët ranë dakord të mbeten në kontakt të ngushtë.

