Fetaji: Të ripërpunohen tre ligjet që rrezikojnë universitetet
“Të tre propozim-ligjet tregojnë një prirje të qartë për centralizim të kompetencave në duart e ministrit dhe Qeverisë, në dëm të autonomisë universitare, pavarësisë institucionale, sigurisë juridike dhe barazisë së subjekteve”, thekson rektori i UNT-së, Bekim Fetaji, ndërsa vlerëson se problemi themelor është ndërhyrja e tepruar e pushtetit ekzekutiv në çështje që duhet të mbeten ekskluzivisht akademike dhe profesionale
Evis HALILI
Shkup, 27 mars – Rektori i Universiteti “Nëna Terezë”, Bekim Fetaji, në një bisedë me gazetën KOHA ka ngritur sërish vërejtjet për tre propozim-ligjet kyçe që lidhen me Arsimin e Lartë, Cilësinë në Arsimin e Lartë, si dhe Veprimtarinë Shkencore-Kërkimore, ndërsa ka këmbëngulur që ato të ridërgohen për përpunim të plotë. Sipas tij, në formën aktuale, këto ligje nuk ndërtojnë një sistem modern evropian, por përkundrazi “vendosin një model kontrolli administrativ dhe politik mbi universitetet dhe institucionet shkencore”.
“Të tre propozim-ligjet tregojnë një prirje të qartë për centralizim të kompetencave në duart e ministrit dhe Qeverisë, në dëm të autonomisë universitare, pavarësisë institucionale, sigurisë juridike dhe barazisë së subjekteve”, thekson Fetaji. Rektori vlerëson se problemi themelor është ndërhyrja e tepruar e pushtetit ekzekutiv në çështje që duhet të mbeten ekskluzivisht akademike dhe profesionale. “Në vend të një modeli të mbikëqyrjes së ligjshmërisë, ligjet propozojnë një model të kontrollit të përmbajtjes, ku ministri ose Qeveria marrin të drejtë miratimi, vetoje, pezullimi apo kontrolli mbi statute, organe drejtuese, programe dhe akte të institucioneve,” deklaron ai.
Sipas Fetajit, kjo bie ndesh drejtpërdrejt me parimin kushtetues të autonomisë universitare dhe me standardet evropiane për pavarësinë akademike. Ai kërkon qartë heqjen e miratimit të statuteve nga Qeveria; eliminimin e të drejtës së ministrit për të pezulluar apo shfuqizuar akte të universiteteve dhe agjencive; ruajtjen e së drejtës së bashkësisë akademike për të zgjedhur drejtuesit dhe organet profesionale; si dhe kufizimin e rolit të shtetit vetëm në kontrollin e ligjshmërisë, jo të përmbajtjes.
Një nga kritikat më të forta lidhet me futjen në ligj të treguesve si ARWU, WoS, Scopus, h-index dhe Impact Factor. “Këta tregues nuk mund të shndërrohen në norma ligjore, sepse janë metodologjikisht të kufizuar dhe nuk reflektojnë realitetin e të gjitha fushave shkencore”, thekson Fetaji. Ai paralajmëron se kjo qasje krijon diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj disiplinave si juridiku, humanistika, artet dhe shkencat shoqërore, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë fushat teknike dhe natyrore. “Vlerësimi sasior nuk mund të zëvendësojë vlerësimin cilësor”, shton ai, duke kërkuar që kriteret akademike të përcaktohen nga organe profesionale dhe të diferencohen sipas fushave.
Në analizën që rektori Fetaji ia ka bërë tre propozim-ligjeve, ai evidenton se ligjet krijojnë trajtim të pabarabartë në disa nivele: ndërmjet institucioneve publike dhe private; ndërmjet universiteteve të vjetra dhe të reja; ndërmjet disiplinave STEM dhe atyre humane e juridike; si dhe ndërmjet kuadrit ekzistues dhe atij të ri. “Kemi privilegjime të fshehura për institucione të caktuara dhe barriera disproporcionale për të tjerat, përfshirë garancitë bankare dhe kushtet e akreditimit,” deklaron rektori. Ai thekson se ligjet duhet të respektojnë parimin e barazisë para ligjit, pa dallime në bazë statusi, themeluesi apo fushe studimi.
Një tjetër shqetësim i madh është mungesa e garancive procedurale. “Kompetencat ndërhyrëse janë të gjera, pa kritere të qarta, pa afate dhe pa mekanizma efektivë ankimi, çka e dobëson sigurinë juridike”, vlerëson Fetaji, ndërsa kërkon përcaktim të saktë të kritereve për çdo ndërhyrje, afate të detyrueshme për vendimmarrje, garantim të së drejtës së ankesës dhe mbrojtjes gjyqësore, sanksione graduale dhe proporcionale me qëllim që masa ekstreme si shuarja e të drejtave të përdoret vetëm si mjet i fundit.
Në ligjin për arsimin e lartë, Fetaji ndalet veçanërisht te statusi i stafit akademik. “Përdorimi i h-index si normë ligjore, humbja automatike e vendit të punës pas mosrizgjedhjes dhe mungesa e mbështetjes reale për kërkim shkencor janë masa joproporcionale dhe cenojnë të drejtën në punë”, deklaron ai.
Ai kërkon që kushtet për avancim të mos fiksohen në mënyrë të ngurtë në ligj, të mos ketë ndërprerje automatike të marrëdhënies së punës, të ketë periudha kalimtare dhe masa korrigjuese, ndërsa kërkesat për hulumtim të harmonizohen me financimin real. Për ligjin mbi cilësinë, Fetaji paralajmëron se pavarësia e agjencisë është vetëm formale. “Agjencia mbetet e varur nga Qeveria dhe ministri përmes emërimeve, kontrollit të raporteve dhe komisioneve të ankesave, gjë që e bën të diskutueshme përputhjen me standardet ESG dhe kërkesat për ENQA dhe EQAR”, thekson ai. Sipas tij, organet duhet të kenë shumicë reale akademike, ministri nuk duhet të emërojë komisione për ankesa, kriteret profesionale t’i përcaktojë vetë agjencia, si dhe të hiqet çdo mundësi ndërhyrjeje politike në vendimmarrje.
Në pjesën që lidhet me veprimtarinë shkencore, Fetaji vlerëson se ligji cenon natyrën e kërkimit shkencor. “Standardet shkencore po përcaktohen në mënyrë administrative dhe jo nga komuniteti profesional, ndërsa koncepti i ekselencës mbështetet më shumë në bibliometri sesa në vlerësim të pavarur”, deklaron ai, ndërsa propozon rol qendror për këshillat kombëtare dhe trupat profesionale, vlerësim nga ekspertë të pavarur, përfshirë ndërkombëtarë, si dhe financim mbi bazë cilësie dhe ndikimi real.
Në përfundim, rektori Fetaji thekson se problemi nuk qëndron vetëm në disa nene, por në vetë filozofinë e ligjeve. “Këto ligje kanë shumë kontroll shtetëror dhe pak autonomi, shumë norma rigide dhe pak fleksibilitet akademik, shumë bibliometri dhe pak vlerësim cilësor. Të tre propozim-ligjet duhet të ridërgohen për përpunim të plotë, në konsultim të gjerë me universitetet, institutet shkencore dhe trupat profesionale, në përputhje me standardet evropiane për arsimin e lartë dhe shkencën”.(koha.mk)

