Bota

Irani pranon kërkesën e OKB-së për kalim të sigurt humanitar përmes Ngushticës së Hormuzit

Shpërndaje

Teherani ka rënë dakord me një kërkesë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për kalimin e sigurt të anijeve humanitare përmes Ngushticës së Hormuzit, raportoi të premten media iraniane, transmeton Anadolu.

“Irani pajtohet me kërkesën e OKB-së për kalimin e sigurt të anijeve që transportojnë mallra humanitare përmes Ngushticës së Hormuzit”, raportoi gazeta Times of Tehran përmes platformës sociale amerikane X, duke cituar ambasadorin iranian në Gjenevë.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që nga 28 shkurti, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael nisën një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit, duke shkaktuar më shumë se 1.340 viktima, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem, Ali Khamenei.

Teherani është kundërpërgjigjur me valë sulmesh me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.

Irani ka mbyllur gjithashtu në mënyrë efektive për shumicën e anijeve Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç tranziti për naftën, në të cilën normalisht kalojnë rreth 20 milionë fuçi në ditë dhe afro 20 për qind e gazit natyror të lëngëzuar (LNG) në nivel global.