Kërcënon Irani: Do mbyllim plotësisht Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA-të sulmojnë centralet tona bërthamore
Irani ka paralajmëruar se do të mbyllë plotësisht Ngushticën e Hormuzit nëse presidenti amerikan, Donald Trump, zbaton kërcënimet për të goditur infrastrukturën energjetike të vendit.
Sipas një deklarate të publikuar nga Garda Revolucionare e Iranit, ky veprim do të ndërmerret në rast se SHBA sulmon objektet energjetike iraniane.
Paralajmërimi vjen pasi Trump i ka dhënë Iranit një afat prej 48 orësh për të rihapur Ngushticën e Hormuzit për transportin detar, duke kërcënuar me shkatërrimin e infrastrukturës energjetike në të kundërt.
Në deklaratë thuhet se kompanitë që kanë lidhje me SHBA do të “shkatërrohen plotësisht” nëse objektet energjetike të Iranit bëhen objekt sulmi.
“Ne nuk e kemi nisur luftën dhe nuk do ta nisim, por nëse armiku dëmton centralet tona, do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vendin dhe interesat e popullit tonë”, thuhet në deklaratë.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës, dhe çdo mbyllje e saj mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet ndërkombëtare të energjisë.

